Do të largohej nga sporti në fund të sezonit, pasi skuadra e tij Has nuk ia rinovoi kontratën. Në moshën 34-vjeçare edhe mund të mendohet tërheqja, dhe kështu do të bënte Romen Groszhani, veçse aksidenti i rëndë që pësoi në Bahrein e detyroi që ta mbyllte para kohe. Francezi shpresonte të merrte pjesë të paktën në garën e fundit të sezonit, në pistën e Jas Marinës në Abu Dabi, por pas këshillimit me mjekët vendosi ndryshe.
“Ajo në Bahrein ishte gara ime e fundit, – tha francezi, – kalova shumë kohë duke diskutuar me mjekët, dhe më thanë se për shëndetin tim është më mirë të mos garoj në Abu Dabi. Një vendim shumë i vështirë, por më i miri për të ardhmen time. Unë po planifikoj të ardhmen, se ku do të garoj dhe ku do të përpiqem të fitoj”. Groszhan shpëtoi për mrekulli pasi makina e tij u nda në dysh dhe mori flakë pas përplasjes me gardhin anësor të pistës në Bahrein. Pavarësisht flakëve, ai pati vetëm dëmtime të vogla.
Sfidanti.al