Kur duhen edhe dy javë deri në përfundim, duhet mbyllur me patjetër. Kështu gjykojnë në Federatën Letoneze të Futbollit, dhe në vendin balltik u arrit deri në nivele groteske në një ndeshje të caktuar. Ishte sfida mes Valmierës dhe Daugavspilsit në kampionatin kombëtar, e vlefshme për javën e 26-të, dhe ajo u vendos të luhej pavarësisht se skuadra mike ishte e përgjysmuar nga koronavirusi. Vetëm 8 lojtarë ishin të gatshëm për të luajtur ndaj 11 të vendasve, por Daugavspilsi u detyrua ta nxirrte ekipin në fushë për të mos pasur ndëshkime financiare dhe heqje pikësh në renditje. Sipas rregullores, një ndeshje mund të luhet nëse ekipi ka 7 lojtarë në terren.
Ashtu siç pritej, vendasit patën epërsi sepse ishin me 3 futbollistë më shumë në fushë, duke e mbyllur pjesën e parë 2-0. Pas pushimit, u shënua edhe goli i tretë, por nisën të papriturat që ndodhin shpesh në futboll. Fillimisht, një lojtar mik u përjashtua me karton të kuq, ndërsa më pas ndodhi dëmtimi i një tjetri. Ky i fundit nuk mundi ta vazhdonte ndeshjen, ose ndoshta edhe nuk deshi, por akush nuk mund ta detyronte që të luante me zor.
Pasi Daugavspilsi mbeti me 6 lojtarë, ndeshja u ndërpre sepse kështu thotë rregullorja, e cila përcakton edhe që fitorja i shkoi Valmierës me shifrat 3-0 në tavolinë, aq sa po kryesonte në fushë. Të dielën Daugavspilsi luan sërish në kampionat ndaj Spartakut, dhe klubi uron që lojtarët ta kenë kaluar koronavirusin për të luajtur me formacion të plotë.
Sfidanti.al