Nuk ka një skuadër tjetër të ngjashme me Tiranën, që të bëhet kaq shumë xheloze për sukseset e veta. Prej kohësh, në këtë klub më të rrezikuarit kanë qenë gjithmonë kampionët, duke përfshirë këtu individë edhe projekte. Starovën e kanë larguar menjëherë pas festës së titullit të madh, po kështu edhe Mirel Josën. Agustin Kola pati të njëjtin fat, por me ndryshimin e vetëm, se e shkarkuan pak përpara se ta fitonte kampionatin. Ilir Daja ishte viktimë e një lloj komploti, që së fundi aplikohet jo rrallë… Dhe më parë edhe Egbo, i cili as Zotin nuk e bezdisi me lutjet e tij të shpeshta, por bezdisi drejtuesit e Tiranës, të cilët kishin vendosur ta largonin prej kohësh. Por sidoqoftë, për të kryer ritin zgjodhën mënyrën e shëmtuar, “pritën” eleminimin e turpshëm prej Korabit nga Kupa e Shqipërisë. Eshtë e çuditëshme, se si te Tirana filluan të numëronin me nervozizëm fitoret në rradhë që po arrinte skuadra, më pas programuan ndryshimin “e madh” dhe tani po ndjekin të çliruar, se si kampionët nuk po fitojnë dot më.
Në periudhën e Egbosë, pikërisht në kohën kur nga statusi i trajnerit eksperimental po merrte pamjen e një kampionati edhe më skeptikët i njohen një meritë: Nigeriani kishte mundur të qetësonte si me magji gjakrat e trazuara në ambjentin bardheblu dhe kjo ishte aryeja e madhe, që për çështje ditësh, skuadra filloi t’i lëvizte këmbët shumë më ndryshe. Ndërsa pak më parë se të largohej, Egbo doli në ekran sikur mezi po mbante mbi shpinë hallet dhe tha pak a shumë: “Ne i zgjidhim problemet brenda familjes”… Njerëzit e familjes e kishin përzënë sipas mënyrës së tyre tradicionale, duke i dedikuar vetëm dy rreshta falenderim në rrjetet sociale.
Ndërsa shprehja më shteruese është ajo që e thonë shpesh, për ta bërë publikun të besojë se Tirana është gjithmonë një ambjent i vështirë, i mbushur me presion gati-gati të përballueshëm. Në fakt tani është pikërisht kështu, por që nuk është trashëguar nga gjithmonë. Tirana ka qenë historikisht një familje që funksiononte më së miri edhe në periudha trazicioni edhe kur dominonte. Ndërsa ky i tanishmi është një trend i ri, kur dikush paguan shumë për t’i vështirësuar jetën vetes.