Paska qënë gojëmjaltë zyrtari i oborrit të FSHF-së kur iu lut “perëndive” me një frazë kampione në përulje, tipike shqiptare : “ Le të zgjasë sa të dojë bojkoti, vetëm të takohet kryeministri Rama me presidentin Duka”. Bekuar qofshin ata që dëgjuan lutjen, sepse takimi i tyre vlen më shumë se sa vetë jeta e futbollit. Kur takohen “zotat” edhe mjerimi ..zbukurohet . Ndaj, s’ka shpërblim më të madh për bojkotin, për gjithë bojkotistët e nënshtruar me hir e me pahir, kur dëgjojnë tellallin e Ligës, që e trazon më shumë trafikun lesheli të bojkotit:
“ Takimi Rama –Duka ishtë një hap pozitiv, por bojkoti do të vazhdojë!” Edhe pak shpirt sa i ka mbetur futbollit (para se të mbyllë sytë) , do të bënte pyetjen e lamtumirës: pse thoni se takimi ishte pozitiv, kur funerali i kampionatit vazhdon drejt gropës? Edhe vetë presidentët, lojtarët e bojkotit, ata që besuan se kur luajnë bashkë janë më të ndershëm sesa futbollistët e tyre, dyshojnë se mos është “trukuar” ndeshja e ..zotave! A mund të përtypet helmi se paskan folur më shumë për politikë, se sa për futbollin, që është bërë si ai pacienti që i kanë prerë ushqimin! Edhe pse kemi vite që jetojmë në mënyrë habitore, të mos e bëjmë dramë nëse kanë folur për të shpëtuar mbijetesën e “partive të vogla”, që militojnë në oborrin e Superligës..por me uniformë futbolli!
Sfidanti.al