Le të kujtojmë një anektodë humoristike, për “nder” të Kombëtares kuqezi, e cila sa herë dorëzon armët në fushë, vesh rrobat e Nastradinit për përrallën e radhës. Vite më parë, kur magjistari Nadir do të hidhej nga maja e hotel 15-katëshit, siç thirrej Hotel “Tirana”, dikush pyeti shokun e tij me dyshim:
“ A u hodh vërtetë Nadiri nga 15 katëshi?” Përgjigja mbetet epokale: “ Sa mban ky popull..!” Edhe populli kuqezi , sidomos në këto dy dekada, ku futbolli fryhet dhe shfryhet si me kurdisje, ka treguar me vepra se i ndizet frymëzimi nga përrralla në përrallë…
Trajneri Reja paska dënuar “senatorët” e Kombëtares Hysaj, Balaj, Roshi dhe Cikalleshin duke i lënë jashtë listës së Kombëtares. Ç‘mëkat kanë bërë për të merituar përjashtimin ? Sebep qënka fejesa e Roshit, një ditë para ndeshjes me Lituaninë, ndeshja ku s’ka ftesë për fejesë apo dasmë që të lajë hesapet me dyshimet. E kërkon fajtorin në fushë, por mund ta gjesh në stol, mund ta gjesh në tribunë, mund ta gjesh edhe më lart! Senatorët e paskan tepruar aq shumë në fejesën e Roshit, sa të nesërmen e ndeshjes me Lituaninë, Hysajt ,për të cilin thuhet se është syri dhe drita ekipit , dezertoi duke lënë topin të arratisej në portën tonë, ndersa veten e hodhi me “sakrificë” brenda rrjetës…
Çfarë fati për Strakoshën, i cili nuk e teproi tek fejesa e Roshit, por ama të nesërmen, edhe pse ishte esëll .. ia mbathi nga porta sikur ta kishte pickuar vetë ..djalli . Tani, kur dëgjon, se Edi Reja, babaxhani me mbi 1000 ndeshje në Serinë A, nuk do t’i falë më tradhëtarët e disiplinës dhe të ..fushës, të “mbushen” sytë me lot. Po të jetë e vërtetë, është një alibi tipike kuqezi! Nga ato që meritojnë muzeun e paudhësive , pasi Reja “e dinte” që do ta tradhëtonim Panuçin në ndeshjen me Turqinë, kurse tani.. e gënjeka mëndja se tradhëtarët po i gjen në fushë dhe jo sipër kokës së tij!
Sfidanti.al