“Shpresa e Bardhë”, Tajson Fjuri, mund të mbretërojë me vite!

Në kryeqytetin Londër po shkruajnë se ai bëri paraqitjen më të madhe të një boksieri britanik për të gjitha kohët. Pra, më të mirë edhe sesa legjendari Lenoks Ljuis, që ndaloi “monstrat” amerikanë Evander Holifild dhe Majk Tajson. Tajson Fjuri është në momentin e tij, dhe në ringun e Las Vegasit u duk “në elementët e tij”, siç është shprehja idiomatike angleze.

Parashikimet janë që gjigandi prej 2.06 metrash dhe gati 124 kg do të dominojë arenën e boksit profesionist në peshat e rënda për vite me radhë. Triumfi i tij ndaj Diontej Uajlderit bëri që ai të cilësohet si numri 1 në botë, me Entoni Xhoshuan në vend të dytë dhe Uajlderin të tretin, por ndoshta edhe një pretendent të ri si Dilion Uajt,me të cilin është i detyruar të ndeshet.

Ndaj Uajlderit, Fjuri fitoi çdo raund, pasi vetëm njëri nga 3 gjyqtarët i dha një raund amerikanit. Uajlder ishte i mundur që pas raundit të parë, ndonëse u mbajt në këmbë me trimëri deri në të shtatën. Promotorët po përpiqen të organizojnë duelin britanik, Fjuri-Xhoshua, mundësisht në “Uembli”, dhe dueli i ëndrrave cilësohet si ngjarja më e madhe sportive në Mbretërinë e Bashkuar që pas Kupës së Botës në 1966. Vetë Fjuri ka mundësi të dëshirojë një ndeshje të tretë me Uajlderin, në një stadium në Las Vegas në prani të 90 000 spektatorëve.

Sfidanti.al