Pranë vdekjes, titull olimpik dhe ankth, kampioni provon gjithçka

Ishte vetëm 3 vjeç kur mami e la një herë e përgjithmonë duke mbyllur sytë para kohe. Pati një fëmijëri të vështirë dhe u burrërua para kohe, anglezi i quajtur Kris Mers (Chris Mears). Djali i vogël iu përkushtua sportit, ndërsa vdekja e nënës e bëri të fortë pasi asgjë nuk mund ta trondiste më shumë se aq.

Gjithsesi, nuk i kishte provuar të gjithë. Kur mbushi 15 vjeç, Krisi shkoi të garonte në Australi, në Festivalin Olimpik të Rinisë, në vitin 2009. Një sëmundje e papritur e bëri që të shkonte deri në buzë të vdekjes, duke kaluar në koma. U deshën 6 apo 7 orë operacion që ai të shpëtonte, dhe të vazhdonte karrierën që do t’i jepte medaljen e artë në Lojrat Olimpike në Rio de Zhaneiro në 2016.

Kris Mers doli kampion olimpik së bashku me shokun e tij, Xhek Lofer (Jack Laugher), në hedhjen nga pedana 3 metërshe drejt e në pishinë. Më parë, ai kishte dalë edhe kampion i Europës dhe kampion i Komonuelthit Britanik, veçse pas arit olimpik, diçka e papritur i ndodhi së brendshmi.

Krisi humbi “busullën”, u ndje i ngopur, apo edhe “bosh” (nëse mund të thuhet kështu), u duk sikur nuk dinte se çfarë drejtimi duhej të merrte në jetë. “Pata frikë se kulmin e suksesit e kisha arritur në moshën 23 vjeç dhe se tani nuk do të kisha çfarë të bëja tjetër”, – sqaron ai. Për fat, stërvitja, ndihma e shokëve dhe terapia e ndihmuan, ndërsa afrimi i garave të Komonuelthit, bëri që të fitonte sërish ndjenjën e konkurrimit. “Kuptova se kam shumë dëshirë të fitoj medalje ari, dhe kur e mora vesh, nisa të ndihesha më i qetë”, – përfundon kampioni olimpik nga Britania e Madhe.

Sfidanti.al