Levandovski mes Bundesligës dhe Championsit, Bajerni lutet për të!

Trajneri Hansi Flik paralajmëroi në sallën e konferencave në Londër, se Çelsi do të ketë përballë gjithë skuadrën e tij, por sidomos sulmuesin e saj kryesor. “Robert Levandovski po kalon formën e jetës, – u shpreh Fliku, – ai është fizikisht në kulmin e tij dhe plot me besim. Ai ka një seri golash për momentin dhe ne shpresojmë që kjo të vazhdojë edhe ndaj Çelsit”. Fliku ka të drejtë, pasi golshënuesi më i mirë i Bundesligës ka shanset të arrijë sukseset e jetës.

Ai mund të fitojë Këpucën e Artë të Europës, me një gol më pak se Çiro Imobile i Lacios së Serisë A. Mund të fitojë Këpucën e Artë të Bundesligës, duke qenë 5 gola para Timo Vernerit të Lajpcigut (26-21), dhe po ashtu mund të fitojë Championsin e parë në jetën e tij. Në 2013, me Dortmundin arriti deri në finale ku u mund nga … Bajerni. Levandovski ka 42 gola në 38 ndeshje për Bajernin dhe Poloninë, duke shënuar dy herë në kampionat ndaj Paderbornit e duke i dhënë bavarezëve fitoren e vështirë 3-2. “Për momentin ai është brilant, – vazhdon Fliku, – por, ai është edhe lojtar skuadre, pasi vrapon, ushtron presion mbi kundërshtarët duke ndihmuar mbrojtjen”.

Sfidanti.al