Kjo natë nuk është harruar, dhe as nuk mund të nxirret nga mendja. Tifozët e Bajernit e kujtojnë humbjen e hidhur me Çelsin në finalen e Championsit 12 vjet më parë, dhe besojnë se dita ka ardhur për skuadrën e tyre për t’u hakmarrë. Blutë e Londrës triumfuan atëherë brenda në Mynih, por sot janë futbollistë të tjerë që do të ndeshen në “Stemford Brixh”.
Kampionët e Gjermanisë u nisën nga atdheu i tyre me besim, por edhe të ndërgjegjshëm se roli i favoritit nuk ua jep automatikisht fitoren. Bavarezëve u mungojnë dy lojtarë, që të dy të rëndësishëm, si Ivan Perishiç e Leon Gorecka, ndonëse ky i fundit ka pak shpresë për të luajtur. Trajneri Hansi Flik është i lumtur me formën e yjeve kryesorë si Robert Levandovski, Tomas Myler, Xhoshua Kimih apo Serg Gnabri.
“Levandovski po kalon formën e jetës, – u shpreh tekniku, – ai është fizikisht në kulmin e tij dhe plot me besim. Ai ka një seri golash për momentin dhe ne shpresojmë që kjo të vazhdojë edhe ndaj Çelsit. Natyrisht, do të luajë Bajerni dhe Çelsi, dhe kundërshtari është i fortë sidomos në sulm, edhe pse mund të gabojë në mbrojtje”.
Anglezëve nuk u jepet ndonjë shans i madh, por ata do kanë ndërmend të dorëzohen pa luajtur ende. Fitorja 2-1 ndaj Çelsit fundjavën e kaluar në Premier Ligë u jep besim. Gjithsesi, blutë kanë fituar vetëm 1 nga 6 ndeshjet e fundit në shtëpi në këtë konkurrim. Mungesa më e madhe për trajnerin Frenk Lampard është ajo e mesfushorit Ngolo Kante, pasi kampioni i botës nuk luan 3 javë i dëmtuar. Sulmuesi i ri Tami Abraham, të paktën është në dispozicion.
“Do të kemi përballë një kundërshtar të madh dhe duhet të dimë të vuajmë për t’ia dalë mbanë, – shprehet Lampardi, – e kuptoj përse nuk jemi favoritët. Duhet të kemi disiplinë të lartë taktike. Jemi në Champions dhe këtu gjithçka është e vështirë, sidomos përballë ekipeve si Bajerni. Duhet të jemi vetmohues në të dyja ndeshjet”.
Vetë Lampard ka qenë pjesë e skuadrave që e kanë mundur Bajernin, por kjo ka ndodhur shumë kohë më parë, në 2005 e 2012. Ka kaluar shumë kohë, dhe se çfarë fuqie ka skuadra gjermane e tregoi fitorja e saj 7-2 ndaj Totenhemit nënkampion të Europës, madje brenda në Londër.
Sfidanti.al