Hamiltoni epik: Statuja të mbetet në lumë me shpirtin e 20 000 skllevërve që vdiqën!

Në Britaninë e Madhe këto ditë, politikanë nga të dy krahët, po përpiqen të moralizojnë për gabimin e madh që paskan bërë protestuesit në Bristol duke hedhur në lumë statujën e një ish-tregtari skllevërish të shekullit të 17-të, të quajtur Eduard Kolston. Këtë “iso” e mbajtën edhe përfaqësuesi i qeverisë (konservatore), Priti Pejtël (ministri i brendshëm), edhe përfaqësuesi i opozitës laburiste, Sër Keir Starmer, duke deklaruar se “veprimi ishte krejtësisht i gabuar” dhe “thellësisht i shëmtuar”.

Ljuis Hamiltoni, gjashtë herë kampioni i botës në Formula 1, pasi fshikulloi kolegët e tij “bardhoshë” që nuk pipëtinë për vrasjen e Xhorxh Flojdit, iu lëshua edhe dy politikanëve të lartë. “Po shoh lajmet sot lidhur me rrëzimin e djeshëm të statujës, – shkruajti ai, gjithnjë në një sfond të zi, – nëse ata njerëz nuk do ta kishin rrëzuar statujën për nder të një tregtari racist skllevërish, ajo nuk do të ishte hequr kurrë. Ka bisedime që ajo statujë të shkojë në museum. Statuja e atij njeriu duhet të qendrojë në fund të lumit, ashtu si shpirti i 20 000 afrikanëve që vdiqën në udhëtimet në udhëtimin për këtu, apo që u hodhën në det, pa varr dhe pa kujtim. Ai njeri i vodhi ata nga familjet e tyre, nga vendi i tyre, dhe ai nuk duhet të respektohet. Ai duhet të zëvendësohet me një përkujtimore për gjithë ata që u shitën, për gjitha ata që humbën jetën”.

Sfidanti.al