Gëzuar 60-vjetorin Diego! Vetëm Muhamed Aliu matej me ty!

Nuk flasim vetëm për legjendën në fushë, por edhe për atë jashtë saj. Festohet sot 60-vjetori i Diego Armando Maradonës dhe kush i harron heroizmat e tij me Napolin dhe me Argjentinën, si dhe kauzat e tij shoqërore të ndjekura me aq guxim. Nëse Pele dhe Mesi mund të rivalizojnë me Diegon për magjinë me topin, ata nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë kaq të famshëm për sjelljen e tyre, siç thuhet jo aq karizmatikë sa ai.

Fitoret me Argjentinën dhe me Napolin ishin thuajse individuale, duke udhëhequr skuadrat drejt majave, të tilla që napolitanët nuk i mendojnë dot as sot 30 vjet pasi idhulli i tyre u largua nga qyteti. Grupi legjendar latin “Manu Çao” (Manu Chao) krijoi këngë për të duke e quajtur “La Vida Tombola”, pra një jetë në ekstazë e mision të vazhdueshëm. Mishel Platini thoshte se “atë që Zidani e bën me topin, Maradona e bën me një portokall”. Mesi thoshte se Maradona ishte miliona milje larg tij. Përsa i përket statistikave dhe qendrueshmërisë në majë, Mesi është numri 1, por ai nuk ishte kurrë një kapiten si Diego, nuk e pati dhe nuk e ka ndikimin e tij.

Sulmet e tij ndaj FIFA-s, miqësia me Fidel Kastron, lufta në krah të njerëzve të thjeshtë janë të gjitha veprime të një njeriu të fortë, që mund të krijojë debate, adhurim, kundërshti deri edhe antipati apo urrejtje, por që nuk mund t’i bëjë kushdo. Vetëm një legjendë si Muhamed Ali mund të matet me Diego Armando Maradonën.

Sfidanti.al