Gatuzo habitet nga Roma, nga Pionteku dhe nga … De Rosi!

Kur Kristof Piontek shënoi golin e avantazhit, u krijua përshtypja se Milani kishte nisur një seri fitoresh. Gjithsesi, në “Olimpiko” pati një përvojë disi më të ndryshme, dhe barazimi në fund iu duk rezultat i mirë. Xhenaro Gatuzo, një trajner me të vërtetë i ndershëm, nuk ngurroi të deklaronte pas takimit të Serisë A se “Roma duhej të kishte fituar me pikë”. Një përgjigje prej ndeshjeje boksi, që nuk përfundon në nokaut.

Gatuzo habitet sesi kjo Romë mund të jetë në moment krize. “Një skuadër e madhe, pavarësisht se çfarë i ndodhi në Kupë, – tha ai, – në pjesën e parë, edhe pse ne ishim në avantazh, nuk na lejoi të luanim, pasi bëri presion të madh”. “Ringio” pati kritika për disa nga lojtarët e tij si Çalhanoglu apo Paketa, që nuk e qarkulluan mirë topin dhe nuk shfrytëzuan hapësirat.

Gjithsesi, ishte i lumtur për futbollistin e ri që ka në skuadër. “Piontek është në gjendje të luajë i vetëm në sulm, – u shpreh trajneri, – siç i themi ne, “e bën repartin i vetëm”, të jep mundësi t’i japësh topin, sulmon në thellësi dhe po na jep një ndihmë shumë të madhe”.

Së fundi, një habitje nga një njohje e vjetër. Daniele De Rosi u kthye në fushë pas disa muajsh mungesë dhe Gatuzo e lavdëron pa masë. “Ne kemi vetëm pak vite diferencë, por ai po mbahet shumë mirë, duket sikur unë jam babai i tij, bëri një ndeshje të madhe”, – u shpreh trajneri milanist.

Sfidanti.al