Enis Bardhi ka oferta nga Arsenali, Fiorentina e Gjermania, Levante fiton10-fish për kartonin!

Kur luante në Hungari, kuptohet që, vlera e kartonit të tij ishte e vogël. Dozha e Ujpeshtit e mori Enis Bardhin pa shpenzuar asgjë, ndërsa shqiptari i Maqedonisë së Veriut ishte 18-19 vjeç, dhe kaloi me sukses provën. Kur Levante e Spanjës bleu kartonin, pagoi 1.5 milionë euro dhe në Hungari thirrën “sukses”, por sukses më i madh është ai që mund të ndodhë tani. Për lojtarin tepër të talentuar të ekipit përfaqësues të Maqedonisë së Veriut ka bërë ofertë serioze Arsenali i Londrës, dhe trajneri Mikel Arteta e dëshiron në skuadrën e tij.

Nuk jepet vlera financiare e ofertës, por nga agjencitë e specializuara përcaktohet se kartoni i Bardhit mund të shkojë nga 12 deri në 15 milionë euro, pra deri në 10-fishin e shumës që Levante shpenzoi për ta marrë në 2017. Kjo, falë paraqitjeve të tij shumë të mira, me 16 gola e 10 asistë në 3 sezone. Edhe këtë  fundjavë, Bardhi 24-vjeçar shënoi në fitoren 4-2 të Levantes me Betisin. Gjithsesi, Arsenali duhet të nxitojë sepse shqiptarin e Maqedonisë së Veriut e kërkon edhe Fiorentina në Serinë A, si dhe klube në Bundesligë.

Sfidanti.al