Kupa e Anglisë: Arsenal-Man. Siti, e Man. Junajtid-Çelsi në katërshe!

Do të jenë dy sfida titanike dhe aty mungon vetëm një gjigand si Liverpuli. Arsenali, 13 herë fitues i Kupës së Anglisë (rekordmen), Mançester Junajtidi (12 herë fitues), Çelsi 8 herë triumfues dhe Mançester Siti që e ka marrë trofeun 6 herë, u kualifikuan për në gjysmëfinale, dhe do të jenë ata që do të synojnë fitoren përfundimtare.

Dy gjysmëfinalet janë planifikuar për t’u luajtur në 18 e19 korrik në stadiumin “Uembli” të Londrës, Mançester Junajtid-Çelsi fillimisht, e pastaj Arsenal-Mançester Siti.

Siti i Pep Guardiolës la pas zhgënjimin e Premier Ligës dhe fitoi 2-0 në stadiumin “Sent Xhejmsis Park” të Njukasëllit, me gola të shënuar nga Kevin De Brujn me penallti dhe Rahim Stërling pas pushimit. Kampionët dhe fituesit në fuqi të kupës humbën raste të shumtë, por Njukasëlli mund të kishte barazuar vetëm pak sekonda përpara se Stërlingu të dyfishonte shifrat. Më herët, Arsenali fitoi në mënyrë dramatike, 2-1, në fushën e Shefild Junajtidit, me golin e shënuar nga Sebajos në minutën e parë shtesë. Çelsi ia doli 1-0 në stadiumin e vështirë të Leisterit, me rrjetën e Ros Barklit në 63’, por pasi luajti keq në pjesën e parë.

Sfidanti.al