Bajerni, “shtatë krisma” në Londër, Ikardi nderon Paris SG!

Një rezultat që flet vetë, në të dyja “anët e monedhës”. Një fitore 7-2 jashtë fushe, aq më tepër ndaj një rivali të madh, është një paralajmërim për gjithkënd se një superfuqi europiane po rikthehet. Bajerni i Mynihut ndoshta mund të konsiderohet sot favorit për fitoren e Championsit, kaq e shkëlqyer ishte paraqitja e bavarezëve në stadiumin e ri “Uajt Hart Lejn”, ndaj një kundërshtari që, sado dobët të kishte qëlluar, ishte nënkampion i Europës në fuqi.

Totenhemi, padyshim, provoi natën më të errët kontinentale në histori, ndërsa Bajerni një nga mbrëmjet më të shquara. Serg Gnabri, ish-lojtar i Arsenalit, e luajti sfidën sikur të ishte jnë derbi i Londrës, duke shënuar 4 gola. Vendasit kaluan të parët në epërsi me koreanojugorin Son, por Kimih barazoi nga distanca, Levandovski i dha avantazhin bavarezëve në fund të pjesës së parë, dhe Gnabri shënoi dy herë në 53’ e 55’. Nuk bëri fajde ngushtimi i rezultatit me penallti nga Harri Kejn në 61’, sepse Gnabri, Levandovski e sërish Gnabri realizuan golat e tjerë.

Nuk dihet se çfarë do të bëjë trajneri shumë i mirë, Maurisio Poçetino, me një gjendje kaq të keqe të ekipit të tij, ndërsa është e qartë se tekniku i Bajernit, Niko Kovaç, po fiton gjithnjë e më shumë kredibilitet, ashtu si edhe yjet e tij. Në fushë ishin Nojer, Pavar, Boateng, Zyle, Alaba, Kimih, Toliso, Gnabri, Kutinjo, Koman, Levandovski. Si zëvendësues hynë Havi Martinez, Tiago Alkantara e Perishiç, ndërsa në stol pa u aktivizuar ishin ulur  Ulraih, Kuisons, Dejvis e Tomas Myler.

Në ndeshjet e tjera, përgjithësisht skuadrat favorite fituan. Mauro Ikardi i dha fitoren Paris SG në Stamboll ndaj Gallatasarajit, me golin e minutës së 52-të. Në grupin e Bajernit, Crvena Zvezda tregoi forcën e traditës duke mundur 3-1 në Beograd, Olimpiakosin e Pireut, po ashtu Shahtar i Donjeckut shfaqi epërsinë e përvojës me fitoren 2-1 në “San Siro” ndaj Atalantës.

Juventusi mundi 3-0 Leverkusenin në Torino (golat, Higuain, Bernardeski, Ronaldo), Atletiko Madrid triumfoi 2-0 në Moskë ndaj Lokomotivës së Moskës, ndërsa Mançester Siti e pati disi të vështirë me Dinamon e Zagrebit, me suksesin 2-0 në Angli.

Grupi A Real-Bryzh 2-2, Gallatasaraj-Paris SG 0-1. Renditja: PSG 6, Bryzh 2, Gallatasaraj, Real 1.

Grupi B: Crvena Zvezda-Olimpiakos 3-1, Totenhem-Bajern 2-7. Renditja: Bajern 6, Crvena Zvezda 3, Olimpiakos, Totenhem 1.

Grupi C: Atalanta-Shahtar 1-2, Mançester Siti-Dinamo Zagreb 2-0. Renditja: Mançester Siti 6, Dinamo 3, Shahtar 3, Atalanta 0.

Grupi D: Juventus-Leverkusen 3-0, Lokomotiv M.-Atletiko M. 0-2. Renditja: Juventus 4, Atletiko 4, Lokomotiv 3, Leverkusen 0.

Sfidanti.al