Në një skuadër futbolli ka shumë rëndësi harmonia mes lojtarëve, po ashtu edhe shoqëria e tyre. Tek Barcelona, një nga kushtet kryesore për të qenë i suksesshëm është raporti me Lionel Mesin, të cilin e kanë pasur shumë të mirë të tillë si Nejmar dhe sidomos Luis Suarez, dhe jo të mirë Zllatan Ibrahimoviç. Po Antuan Grizmani, i sapombërrituri në “Kamp Nou”? Vetë sulmuesi francez “hedh ujë të ftohtë” në shpresën e tifozëve.
“Është e vështirë të krijojmë një raport të ngushtë, të paktën për momentin, – tha francezi, – Mesi nuk flet shumë, edhe unë jam fjalëpak, ndaj do të duhet kohë. Gjithsesi, shoqëria mes nesh po rritet. Për më tepër, Leo ka qenë i dëmtuar për një periudhë të caktuar, dhe nuk kemi mundur të stërvitemi apo të luajmë shumë së bashku”. Nuk është sekret që Mesi deshi kthimin tek Barcelona të Nejmarit, gjë që nuk ndodhi, dhe në vend të tij erdhi Grizman. Për momentin, kampioni i botës nuk është përshtatur siç duhet në “Kamp Nou” sepse ka shënuar vetëm 3 gola në 8 ndeshje.
Sfidanti.al