Boks, Entoni Xhoshua rifiton brezat me fitoren brilante në shkretëtirë!

Dyshimi ishte i madh, por ndoshta ishte normale. Entoni Xhoshua ishte mposhtur keqazi në ndeshjen e kaluar nga Andi Ruizi, ndaj edhe revanshi pritej me tension dhe kërshëri të madhe. Të kuptohemi, ish-kampioni britanik i peshave të rënda në boksin profesionist nuk ishte i pari, dhe nuk do të jetë as i fundit, që do të zihet në befasi. i ka ndodhur Muhamed Aliut, Majk Tajsonit apo Lenoks Ljuisit, sa për të sjellë disa shembuj të shndritshëm.

Ashtu si kampionët e brezave para tij, edhe Xhoshua arriti ta merrte revanshin, ndonëse jo me nokaut siç e pati humbjen. Ne luftimin e zhvilluar në shkretëtirë, në Dirijah të Arabisë Saudite, ai e mposhti rivalin meksikan me vendim unanim me pikë, pas 12 raundeve që i dominoi thuajse plotësisht. Vendimi i tre gjyqtarëve ishte 118-110, 118-110, 119-109! Tashmë, në 2020, pritet që Xhoshua të ketë duelet e jetës ndaj Diontej Uajlderit (SHBA) dhe patriotit të tij britanik, Tajson Fjuri. Ai riktheu nderin e një kampioni, tashmë të dyfishtë, ndërsa më parë ia doli duke thyer legjendën ukrainase, Vladimir Kliçko.

“Së pari dua të falenderoj Zotin, – tha Xhoshua (pa shpjeguar se përse Perëndia ndihmoi atë, dhe jo Ruizin!), – dua të them se hera e parë (që u shpall kampion) ishte shumë e bukur, por u desh që ta bëja për së dyti. Një njeri si unë nuk i pëlqen justifikimet. Duhej të luaja një ndeshje të madhe që t’ia dilja, dhe e bëra. Nuk pata dyshime në veten time, nuk ndryshova, u tregova sërish i thjeshtë dhe i uritur për të fituar. Dua t’i falenderoj të gjithë, që nga rivali im, e deri tek trajneri im dhe familja ime, të falenderoj Arabinë Saudite dhe tifozët”.

Sfidanti.al