Një ish-president i Realit thoshte pak ditë më parë se madrilenët do të kishin mundësi të dominonin La Ligën nëse Mesi do të shkonte të luante në Kinë ose në Amerikë. Pas ndeshjes Barcelona-Majorka, gazeta “Marka” bëri një pyetje me një fjalë: “Tërheqje?”
E pati fjalën për atë që Lionel Mesi tha në ceremoninë e Topit të Artë në Paris se “po afron koha për t’u tërhequr nga futbolli”. Çfarë mund të thuhet pas 3-golëshit të realizuar këtë të shtunë në “Kamp Nou”, në fitoren 5-2 të katalanasve, ndërsa prezantoi para publikut pikërisht Topin e Artë (në foto)? Argjentinasi tashmë është në krye të listës së shënuesve të kampionatit, me 12 gola ndaj 11 të Benzemasë, madje duke luajtur 4 ndeshje më pak sesa francezi i Realit, 10 ndaj 14 të tij.
Barcelona iu përgjigj Realit, duke u ngjitur sërish në krye, me 34 pikë po aq sa djemtë e Zidanit, por me golaverazhi më të mirë, +23 (41-18) ndaj +21 (32-11). Mesi ka tani 35 tregolësha në La Liga, duke thyer rekordin e Kristiano Ronaldos që kishte 34. Portugezi, gjithsesi, ia ka dalë me shumë më pak ndeshje, në 292 ndaj 562 të argjentinasit, që mban edhe rekordin e golave të shënuar gjithsej me 431. CR7 realizoi 311 gjithsej për Realin.
Lajmi i madh për publikun në “Kamp Nou” ishte fakti që treshja Mesi-Suarez-Grizman (MSG) shkëlqeu ndaj Majorkës, duke shënuar të 5 golat. Suarez e Grizman realizuan nga një, ndërsa treshja MSG po kujton tani atë MSN, kur tek Barça luante Nejmari.
Sfidanti.al