Sa shumë po e zbukurojnë Partizanin e Gegës, edhe ata që nuk e donin

E kishim trajner të “Shpresës” dhe emri i tij ishte i pashpresë për shumë besimtarë të futbollit. Bile kishte edhe nga ata që thumbonin me ironi se më në fund u gjet një trajner shqiptar për 21- vjeçarët, që “kalon me not oqeanin për të drejtuar një ekip që sipas zakonit zhytet në harresë..” Por, kur ke parasysh modën tonë të paqëndrueshme, kjo që po ndodh me Skënder Gegën, trajner të Partizanit, është tipike për llojin tonë. Kanë kaluar vetem 8 javë kampionat, kur Partizani është nisur për të mbaruar një punë që ka 2 dekada e gjysëm që e synon, dhe emri i trajnerit Gega është vendosur shpejt e shpejt në altar. Dikush e ka quajtur mënyrën pragmatiste të Partizanit në fushë si “Gega style” , të tjerë, me këmbët më të shtrira në tokë, thonë se sekreti i madh i Gegës është muri që ka ngritur brenda në klub, duke ndarë me kufi punën e trajnerit me “ekipin” që qëndron pranë presidentit Demi. Vetë futbollistët e Partizanit, e kanë më të lehtë kur thonë se kjo që po ndodh është çështje disipline. Madje u duket si ekuacion me shumë të panjohura sikur të zbulonin se ku ndryshojnë në esencë 7 trajnerët që kanë patur në këto dy vitet e fundit…
Nuk dihet se si do të vazhdojë skenari i Superligës, sepse do të ishte naivitet i kulluar nëse do të besonim, qysh në javët e para, se edhe “perënditë” nëpër zyra kanë ndërruar shijet për zaptuesit e fronit. Një gjë është e sigurtë, të paktën për këto 8 javë që kemi kapercyer, se Partizanin nuk e shqetësojnë më arbitrat. Ata që një vit më parë, ia nxinin jetën sa herë të shtypej butoni. Dhe kjo është një dhuratë e madhe, një shenjë “bamirësie” nga lart, që kuptohet më mirë po të gjurmosh fatin e Tiranës, së cilës i fanepset sikur degjon bilbilin edhe kur është në gjumë…
Sfidanti. al