Kujdes Shqipëri! Emri i De Biazit shëtit në stolat e botës..

Shqipëria ku humbur disa vende në renditjen e FIFA-s, një humbje që bëhet më e hidhur kur feston Serbia dhe Greqia, por, në renditje ka humbur edhe trajneri i saj ,De Biazi. Emri i tij qënka në listën e kandidatëve të mundshëm për stolin e Interit.  E cili nuk e mban mend , pas kthimit triumfues nga Franca, kur plasi një luftë e ftohtë midis disa përfaqesueseve për të na “vjedhur” njeriun e stolit. Sapo iku Del Boske, një nga emrat që u përmend  ishte edhe De Biazi. Spanja, atdheu i tiki-taka-s, lakmonte trajnerin e Shqipërisë, ku ruajtja e portës është një pasion më i madh se mbajtja e topit. Në ato momente, euforia që është një kusht i bashkëjetesës me lojën, dëgjohej m një shprehje të tillë: “ Nuk e japim De Biazin as për Spanjën, as edhe për Gjermaninë”.

Nga Spanja tek Interi, emri i trajnerit tonë vazhdon të marshojë në stolat imagjinarë të botës. Për De Biazin, nuk ka dyshim se është një marketing fatlum, ndërsa për tollombacin tonë që vazhdon të fryhet, një shans për të thënë: “ E morëm të vogël De Biazin, ekipet që kishte drejtuar ishin krejt simbolike, dhe e rritëm sa e kërkojnë nga e gjithë bota”.  Edhe zyrtarët tanë ndihen komod kur ndizet imagjinata për largimin e tij. Falen që t’u ndritë fati, pas përrallës së bukur franceze,  të gjejnë një ekip që të paguaj pak me shumë më shumë se 40 mije euro në muaj, sa përfiton italiani tek ne.