Egnatia me fat në short nëse kualifikohet ndaj Celje

Është hedhur sot në Nion të Zvicrës shorti për raundin e tretë kualifikues të Champions League, ku kampionët në fuqi të Shqipërisë ishin me fat. Në turin e dytë Egnatia përballet me Celje të Sllovenisë dhe në rast se e kalon këtë ekip, do të ketë një kundërshtar më të lehtë në letër në raundin e tretë. Rrogozhinasit do të ndeshen me fituesin e çiftit Ararat-Shamrok Rovers. Bëhet fjalë për kampionët e Armenisë dhe të Irlandës, që ishin nga më të lehtët në short.

Gjithmonë nëse kalojnë Celjen, kampionët e Shqipërisë do të luanin më 4 ose 5 gusht ndeshjen e parë të raundit të tretë të Champions, kurse sfida e kthimit është programuar të luhet më 11 gusht. Kjo verë duket se do të jetë vërtet impenjative për Egnatian, që po ndihmohet edhe nga shorti.