Kudo ndodhin gabime arbitrale, pasi edhe dinamika e futbollit sjellë vetvetiu të tilla, sado të mundohesh t’i evitosh. Ndërsa në këtë futbollin tonë, që nuk është as dinamik mjaftueshëm, më shumë po sforcohen të gjejnë shprehje për t’i përdorur si alibi. “Gabime njerëzore” është njëra që përdoret më shpeshë, pasi moviolistëve iu duket edhe më e gjetura. Ose bëhen krahasime, duke treguar se si në një Milan – Juventus, arbitri anuloi një gol të rregullt. Po këtu, njerëzit me bilbil e flamur e katranosin të gjithë në një ditë, aq sa në një studio televizive nuk flitet më për atë që të gjithë janë mbledhur, futbollin, por vetëm për “gabimet njerëzore” të xhaketave të zeza.
Në ndeshjen Lushnja – Shkumbini, arbitri vërshëllen për një 11 metërsh shumë të dyshimtë dhe më pas fusha pushtohet nga drejtuesit e skuadrës mike, të cilët për 5-6 minuta e kthyen në fushë beteje. Në Bylis – Elbasani, drejtuesi i garës anullon dy gola për vendasit dhe nuk vërshëllen për një penallti, duke i lënë të gjithë pa fjalë. Dy gola të anuluar edhe për Pogradecin dhe nga pamjet dukej qartë se të paktën njëri prej tyre ishte mëse i rregullt. Një ndalim të topit me dorë të hapur si flamur dhe penallti e mohuar në favor të Sopotit në ndeshjen me Dinamos dhe arbitri që ndodhej vetëm 5 metra larg aksionit, nuk nguroi të bënte një “gabim njerëzor” trashanik. E njëjta gjë edhe në Pukë dhe të gjitha në një pasdite të vetme… vërtetë shumë për të gabuar pa dashje.