Dy vjet pasi u kurorëzua kampione e Europës në Berlin, ‘La Roja’ është tashmë edhe kampione e botës, pasi mposhti Argjentinën 1-0 në finalen e Kupës së Botës, të zhvilluar të dielën, 19 korrik, në Nju Xhersi. Një sukses i ngjashëm u arrit edhe në vitin 2010, kur Spanja fitoi Botërorin dy vjet pas triumfit në Euro 2008. Triumfi i fundit konfirmon dominimin e jashtëzakonshëm të futbollit spanjoll, si te meshkujt ashtu edhe te femrat.
Spanja është vendi i parë në histori që mban njëkohësisht titullin e kampiones së botës si në futbollin e meshkujve, ashtu edhe në atë të femrave. Kombëtarja e femrave fitoi Kupën e Botës në vitin 2023, pasi mposhti Anglinë në finalen e luajtur në Sidnej. Sukseset nuk ndalen me kaq. Kombëtarja e meshkujve fitoi Ligën e Kombeve në vitin 2023 dhe medaljen e artë olimpike në vitin 2024, ndërsa femrat triumfuan në Ligën e Kombeve në vitet 2024 dhe 2025.
Në fakt, gjatë pesë viteve të fundit, Spanja ka fituar plot 16 tituj botërorë dhe europianë në të gjitha kategoritë, nga grupmoshat U-17 deri te ekipet e para. “Ky është dominim i pastër,” deklaroi eksperti i futbollit spanjoll, Guillem Balague, për BBC Sport. “Është si stuhia perfekte. Kemi një kulturë futbolli të ndërtuar mbi një filozofi të qartë dhe të gjithë besojnë te ajo. Gjëja më e rëndësishme është se nuk ndalemi kurrë. Është një tjetër Everest, sepse edhe në vitin 2010 meshkujt fituan Kupën e Botës dy vjet pas triumfit në Europian. Tani e kemi bërë sërish.”
Fitoret e pandalshme të Spanjës
Futbolli i femrave (11 tituj, 2022-2026)
Ekipi A: 1 Kupë Bote (2023), 2 Liga të Kombeve (2024, 2025)
U-20: 1 Kupë Bote (2022)
U-19: 5 tituj kampionë Europe (2022, 2023, 2024, 2025, 2026)
U-17: 1 Kupë Bote (2022), 1 Kampionat Europian (2024)
Futbolli i meshkujve (5 tituj, 2022-2026)
Ekipi A: 1 Kupë Bote (2026), 1 Kampionat Europian (2024), 1 Ligë e Kombeve (2023)
U-23: Medalje e artë olimpike (2024)
U-19: Kampion Europe (2026)
Kur Federata Spanjolle emëroi Luis de la Fuente trajner të kombëtares në dhjetor 2022, pak njerëz mendonin se ai do të fitonte Ligën e Kombeve (2023), Europianin (2024) dhe Kupën e Botës (2026) në një periudhë kaq të shkurtër. Spanja sapo ishte eliminuar nga Maroku në Katar 2022 dhe duhej të gjente pasuesin e Luis Enrique. “Federata zgjodhi një trajner që e njihte stilin dhe sistemin e lojës,” tha Balague. “Ishte një vendim me shumë rrezik. Nuk besoj se dikush e imagjinonte një sukses kaq të madh.” De la Fuente mori drejtimin e kombëtares pa pasur eksperiencë në krye të një klubi të madh, pavarësisht se Spanja kishte fituar tre nga pesë Kampionatet e fundit Europiane (2008, 2012 dhe 2024).
Pas përfundimit të karrierës si futbollist në vitin 1994, ai punoi për vite me radhë në role të ndryshme, si trajner në ligat e ulëta, në ekipet e moshave dhe si ndihmëstrajner, përpara se të merrte drejtimin e kombëtareve të moshave të Spanjës. “De la Fuente i njihte shumicën e këtyre lojtarëve që nga akademitë dhe ata janë rritur së bashku si skuadër,” tha ish-mesfushori Juan Mata për BBC Sport. “Kjo nuk është vetëm një skuadër për të tashmen, por edhe për të ardhmen.” Që prej emërimit në krye të kombëtares, pas eksperiencës me ekipet U-19, U-21 dhe olimpike, De la Fuente ka ndërtuar një kulturë të bazuar te respekti për kundërshtarin, durimi dhe qetësia. “Shumica prej jush jeni më të rinj se unë dhe duhet të respektoni përvojën,” u tha ai gazetarëve para finales në Nju Jork. “Pas ndeshjes pati futbollistë që më pyetën: ‘Trajner, çfarë ka mbetur për të fituar, kur kemi fituar gjithçka në çdo kategori?’
Përgjigjja jonë ishte e thjeshtë: ndeshja e radhës në shtator. Kjo skuadër nuk ndalet kurrë.”Suksesi i kombëtareve dhe i trajnerëve spanjollë është reflektuar edhe në futbollin e klubeve. Pavarësisht largimit të Pep Guardiolës nga Manchester City pas një dekade të mbushur me trofe, të paktën një e katërta e trajnerëve që do të nisin sezonin 2026-2027 në Premier League janë spanjollë. Ndërkohë, Spanja ka arritur në 38 ndeshje radhazi pa humbje në të gjitha kompeticionet, seria më e gjatë e regjistruar ndonjëherë nga një kombëtare europiane ose amerikano-jugore.
Ndërkohë, futbolli i femrave në Spanjë ka përjetuar një zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë dekadës së fundit dhe tashmë po korr sukses pas suksesi edhe në arenën ndërkombëtare. Triumfi ndaj Anglisë në finalen e Kupës së Botës për femra në vitin 2023 erdhi vetëm në pjesëmarrjen e tretë të Spanjës në këtë turne, pasi debutimi i saj ishte regjistruar në vitin 2015. Pas këtij suksesi historik, kombëtarja spanjolle e femrave fitoi edhe Ligën e Kombeve në dy edicione radhazi, në vitet 2024 dhe 2025. “Ndryshimet në futbollin e femrave në Spanjë kanë qenë të jashtëzakonshme”, deklaroi ish-futbollistja Maria Garrido, sot gazetare sportive, në një intervistë për BBC Sport. “Dhjetë vjet më parë, kur luaja për Barcelonën, nuk ekzistonte La Masia për vajzat. Shpenzimet e transportit i paguanim vetë, prindërit na çonin në stërvitje dhe nuk fitonim asnjë të ardhur. Por gjatë pesë viteve të fundit situata ka ndryshuar rrënjësisht. Është investuar shumë në promovimin e futbollit të femrave, janë krijuar më shumë kategori për moshat e reja, janë përmirësuar kushtet dhe infrastruktura, si dhe është ngritur një akademi e dedikuar për vajzat.
Ky transformim jo vetëm që ka revolucionarizuar sportin, por ka rritur ndjeshëm edhe respektin ndaj futbollit të femrave në Spanjë.” Sukseset e kombëtareve të meshkujve dhe femrave janë mbështetur gjithashtu nga një punë e gjatë dhe e qëndrueshme me ekipet e moshave, të cilat gjatë dekadës së fundit kanë fituar një numër të madh titujsh europianë dhe botërorë, duke krijuar bazat e dominimit aktual të futbollit spanjoll.
E ardhmja e futbollit spanjoll duket po aq premtuese sa e tashmja, me shumë ekspertë që besojnë se dominimi i ‘La Roja’-s do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Te kombëtarja e meshkujve, Lamine Yamal dhe Pau Cubarsí konsiderohen dy nga talentet më të mëdhenj të brezit të ri. Të dy fituan medaljen e parë si kampionë bote në moshën vetëm 19-vjeçare. Edhe futbolli i femrave vazhdon të prodhojë yje. Vicky López, pjesë e kombëtares spanjolle, është fituese e trefishtë e Ligës së Kampioneve me Barcelonën në të njëjtën moshë, ndërsa sulmuesja Salma Paralluelo ka zhvilluar më shumë se 50 ndeshje me përfaqësuesen përpara se të mbushë 23 vjeç. Yamal u bë lojtari i tretë më i ri në histori që luan në një finale të Kupës së Botës, pas brazilianit Pelé në vitin 1958 (17 vjeç e 249 ditë) dhe italianit Giuseppe Bergomi në vitin 1982 (18 vjeç e 201 ditë). Ndërkohë, me Cubarsín që nisi si titullar në moshën 19 vjeç e 178 ditë, Spanja u bë kombëtarja e parë që aktivizon dy adoleshentë në një finale të Kupës së Botës. “Spanja ka një mënyrë loje që askush në botë nuk ka treguar se mund t’i afrohet,” tha ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, për BBC Sport pas finales ndaj Argjentinës. “Askush nuk arriti t’i vendoste në vështirësi në këtë Botëror. Gjatë gjithë turneut, kundërshtarët realizuan vetëm 10 gjuajtje në kuadrat ndaj tyre.” Në të njëjtën linjë u shpreh edhe legjenda franceze Thierry Henry, kampion bote me Francën në vitin 1998, i cili beson se Spanja mund të dominojë futbollin ndërkombëtar për shumë vite. “Duhet t’i japim meritë sistemit dhe mënyrës se si është ndërtuar ky model,” deklaroi Henry për Fox Sports. “Sepse Spanja nuk fitonte gjithmonë në këtë mënyrë. Tani ajo fiton në çdo nivel.

