Taranto 2026, suksesi i Kosovës si pasqyrë e dështimit ë Shqipërisë

Lojërat Mesdhetare, Taranto 2026, na dhuruan një tablo interesante, me të cilën mund të analizohet në të nxehtë një detaj shumë interesant. Shqipëria renditet pas Kosovës me 3 medalje më pak. Me një vështrim të thjeshtë të situatës, rezultatet tregojnë qartë se ku qëndrojnë vëllezërit tanë në multisport dhe, për më tepër, në shtrirjen e gjerë të sporteve që propozojnë, ndërsa, në krahun tjetër, Shqipëria, edhe pse me shumë bujë e propagandë, po investon në shumë disiplina, por rezultatet nuk janë të prekshme e as të dukshme në horizont.

Pa i hyrë analizave dhe detajeve, një gjë është shumë e qartë dhe e dukshme: 6 medaljet e Shqipërisë erdhën kryesisht nga një sport tradicional si peshëngritja, që, në fund të fundit, nuk është meritë e askujt që sot ka marrë përsipër të drejtojë punët e KOKSH-it, ndërsa pjesa tjetër (pa dashur të paragjykojmë) vjen nga sportistët e importuar prej Rusisë.

Nëse ndalemi më shumë te problemet e shtangës, që gjithsesi nuk është aspak në lartësinë e pritshmërive, këtu ka edhe një handikap të madh: akuzat dhe kundërakuzat që vërshojnë çdo herë ndaj kreut të kësaj federate, njeriut që duket se preferon të zgjedhë përherë rrugën e konfliktualitetit për të qenë përherë në qendër të vëmendjes. Jo rastësisht, z. Gjoza njihet gjerësisht edhe si një njeri që meritat preferon t’i marrë të gjitha për vete, duke mos kursyer asnjë pikë djersë të sportistëve të tij, ndërsa dështimet i faturon, sa të mundet, duke i shpërndarë gjithandej.

Për t’u kthyer te Kosova, me shqiptarët e suksesshëm matanë kufirit natyror, duhet të kujtojmë që Lojërat Mesdhetare 2030 do të zhvillohen në Prishtinë, ndërsa arritjet e KOKSH-it tonë në këto 4 vitet e ardhshme, sigurisht, do të jenë debatet brenda federatave, gjyqi i hapur ndërkombëtar me FSHF-në apo arritjet në letër të sporteve në shkolla (gjë që ende nuk është vërtetuar apo reflektuar në nivelet profesioniste).

Deri atëherë, të presim dhe shpresojmë për një reflektim nga të gjithë, që, sipas të gjitha gjasave (pa dashur ta paragjykojmë), nuk do të vijë kurrë…

Pirro Bardhyli