Richarlison mbetet jashtë listës së Tottenhamit

Richarlison nuk është përfshirë në listën e Tottenhamit për sezonin e ri të Premier League, me trajnerin Roberto De Zerbi që ka vendosur të mos llogarisë më sulmuesin brazilian. Vendimi lidhet me kufizimet e kampionatit anglez, pasi klubet mund të regjistrojnë maksimumi 17 futbollistë që nuk konsiderohen të formuar lokalisht. Tottenham kishte më shumë lojtarë se limiti i lejuar dhe De Zerbi u detyrua të bënte zgjedhje.

Richarlison, 29 vjeç, ishte golashënuesi më i mirë i Tottenhamit sezonin e kaluar, megjithatë, sipas mediave angleze, sulmuesi ishte njoftuar para mbylljes së merkatos se nuk bënte pjesë në planet e trajnerit për sezonin e ri, duke iu dhënë mundësia të gjente një klub tjetër. Braziliani kishte shprehur vazhdimisht dëshirën për t’u larguar gjatë verës. Një rikthim te Evertoni u diskutua, por negociatat nuk u konkretizuan. Tashmë, një alternativë mund të jetë Turqia, ku merkatoja është ende e hapur, ndërsa Trabzonspori raportohet si një prej destinacioneve të mundshme për Richarlison. Sulmuesi ndodhet në 10 muajt e fundit të kontratës me Tottenhamin, ndërsa klubi londinez ka opsionin për ta zgjatur marrëveshjen edhe për një sezon. Në listën e Tottenhamit, ndryshe nga Richarlison, janë përfshirë Xavi Simons dhe Wilson Odobert, pavarësisht se të dy po rikuperohen nga dëmtime të ligamentit të kryqëzuar anterior. Ndërkohë, Dejan Kulusevski është rikthyer në stërvitje pa kufizime, pas një mungese prej 477 ditësh për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju.