Teutën e “vrau” syri i keq, e futën në Europë , pastaj e shpallën edhe kampione

Sikur e morën në sysh Teutën në këto javë të para të kampionatit. Sikur edhe vetë Teuta kishte qejf  të përkëdhelej. Diku  thuhej se Europa ka hapur dyert këtë sezon për të pritur ekipin durrsak, diku tjetër qoka  kapërcente orbitën tradicionale,  duke thënë se Europa edhe mund të presë pak,  por jo titulli kampion.  Për të ulur këmbët në tokë, paska qënë ideale kjo ndeshja me Flamurtarin në Durrës. Një humbje nga ato që humbet kokën më shpejt se pikët. Një humbje që nuk e shpjegon dot sipas zakonit të tij edhe vetë trajneri Magani.

Dëgjoni fjalët e tij dhe duket sikur Teuta dhe timonieri i saj kanë ngatërruar busullën:  “Mendoj që nuk ishim fare skuadër, ishim të shthurur, pa grinte, pa ekuilibra. Na mërziti mungesa e shpejtësisë së mendimit, u ndëshkuam nga gola për gabime tonat dhe meritë të kundërshtarit. Nuk dua të polemizoj me vendimet e arbitrit, por kam rezerva për një penallti në pjesën e parë. Nëse kjo do ishte penallti, do ndryshonte rrjedha e lojës.

Megjithatë ajo që më qetëson është që kështu e ka futbolli, edhe mund të humbësh përballë një kundërshtari që e vlerësoj shumë. Skuadra në pjesën e dytë e kontrolloi topin dhe lojën dhe po të kishim fat do merrnim një pikë. Nuk është fundi i botës, shumë mirë që u ndalëm tani në fillim të sezonit. E kam thënë dhe herë të tjera, nuk kam thënë që do dalim kampion por do luftojmë gjithnjë. Flamurtari nuk vodhi asgjë, e meritoi fitoren.”

Mund të kishte thënë edhe plot gjëra të tjera Magani, por kjo fraza “ shumë mirë që u ndalëm tani në fillim të sezonit”ishte si një  qershi mbi torte.  Pale kur ankohet trajneri se arbitri nuk dha një penallti në pjesën e parë,  kur Cjapi i shkretë  dha një penallti “hokatare” nga ato që zbulojnë se  tek pika e bardhë e penalltisë edhe këtë sezon do të vazhdojë të dalë tymi i zi…

Sfidanti.al