Në një kampionat me 10 skuadra është luks i madh që 20% ose 2 prej tyre të rrezikojnë seriozisht ekzistencën mes më të mirëve, madje edhe më keq, të rrezikojnë ngjyrat e fanellës. Tirana dhe Teuta janë vetëm dy prej klubeve që vështirësitë në letra tashmë i reflektojnë edhe në praktikë e kjo për arsye tërësisht të ndyshme por që reflektojnë të njëjtin përfundim: futbolli shqiptar është në pikë të hallit. Kur dy nga klubet më të mëdha dhe të suksesshme të futbollit në vend kanë probleme të mëdha financiare, atëherë diçka nuk shkon me të mëdhenjtë që e drejtojnë këtë lojë. Ndoshta Tirana është shembull i dështimit të sistemit? Apo mos ndoshta është viktimë e pazareve që janë bërë ndër vite në kurriz të tifozëve dhe njërezve që e duan këtë skuadër? E sigurt është që Tirana ose Tirona sot po lëngon e për këtë fajtorë janë të gjithë, që nga i pari e deri tek i fundit. Por nëse bardheblutë reflektojnë keqmenaxhimin e nxitur nga vendimet e njërezve të gabuar, Teuta reflekton një plagë edhe më të thellë. Me largimin e presidentit që mes shumë sakrificave klubin e zemrës e mbajti me dinjitet në elitë për shumë dekada, vendi mbeti bosh e klubi jetim. Teuta sot është një plagë e madhe që pasqyron edhe më qartësisht kalbjen e futbollit shqiptar ku askush nuk dëshiron të humbasë para dhe për më tepër sot tregon sakrificat e mëdha që bëjnë njerëz të veçantë për të mbajtur në këmbë struktura të kalbura që nuk kanë asnjë lidhje me logjikën e thjeshtë të biznesit dhe lojës.
Nga Pirro Bardhyli