Strakosha merr notën 7: “Të lumtur, skuadra dhe tifozët janë bashkë”!

Trajneri Stefano Inzagi u shpreh se kësaj Lacioje i mungon shumë pak për të qenë kampione, dhe natyrisht pretendimet janë të gjitha aty. Fitorja ndaj Napolit bëri që kryeqytetasit të jenë vetëm 4 pikë larg kreut që mbahet nga Interi, ndonëse Juvja ende nuk ka luajtur, ndërsa njëri nga lojtarët që pati më shumë meritë ishte Tomas Strakosha. Portieri i kombëtares shqiptare shkëlqeu me 3 pritje shpëtimtare ndaj Lorenco Insinjes, por shumë mirë edhe ndaj polakut Milik, duke u ndihmuar edhe nga shtylla. Pas fitores së arritur me golin e të zakonshmit Çiro Imobile (20 deri tani në Serinë A këtë sezon), Strakosha vlerësoi atmosferën në klub.

“Jemi të lumtur me këtë fitore, – u shpreh ai, – po vazhdojmë ëndrrën tonë. Jam i lumtur që stadiumi ishte plot dhe që tifozët po kënaqen. Skuadra dhe tifozët janë të bashkuar. Jemi të gjithë të qetë dhe të përqëndruar, dhe po marrim maksimumin në këtë moment. Në pjesën e dytë e patëm të vështirë sepse përballë nesh ishte një Napoli i madh, por na ndihmuan tifozët që t’ia dilnim. Pritja ime më e vështirë ishte ajo e dyta ndaj Insinjes, pasi nuk e pashë topin kur u nis”.

Sfidanti.al