Receta e Macolës për Interin: Të duhet lider, merr tre si Godini!

Kur thua Sandro Macola, ke thënë Inter, por nga ai i sukseseve. Interist kokë e këmbë, ai u intervistua nga një faqe internet zikaltër, me emrin FCInter1908.it, dhe ndonëse është treguar i kujdesshëm dhe i kursyer, duket se ka vënë “gishtin në plagë”. Pasi u ngacmua për gabime të mundshme të Spaletit, Macola u përgjigj kështu.

“Mund të ndodhë që edhe trajneri të gabojë, – tha ai, – edhe në kohën tonë, ndodhte që trajneri nuk e gjente skemën e duhur, por skuadra jonë kishte 3-4 lojtarë me përvojë që merrnin situatën në dorë dhe ne vendosnim të ndryshonim. Në pushim, edhe trajneri binte dakord me ne. Dua të them se edhe lojtarët e sotëm duhet të kenë përgjegjësinë e tyre, nuk mund ta bëjë gjithçka trajneri”.

Pra, Interit i mungojnë udhëheqësit? “Mendoj se është pikërisht kështu, – pohoi pa lëkundje Macola, – duhet të marrin jo një, por tre si Godini, pasi kanë nevojë për lojtarë të tillë. Problemi nuk është trajneri”. Besohet se klubi interist do të dijë të dëgjojë një legjendë që fitoi 4 tituj në Serinë A, 2 Champions, 2 Kupa të Botës për klubet (Kupa Interkontinentale në atë kohë), si dhe u shpall kampion i Europës me Italinë.

Sfidanti.al