Kur ta thotë një “armik” duhet të kesh zgjuarsinë ta dëgjosh. Liverpuli është në një moment delikat të sezonit, dhe ish-ylli i Mançester Junajtidit, Pol Ins, vendosi t’i jepte një këshillë. “Dua t’u them lojtarëve të Liverpulit që të harrojnë gjithçka tjetër dhe të përqëndrohen vetëm tek fusha e lojës, deri në fund të sezonit, – tha ish-mesfushori, – nëse mundeni, “fikni” rrjetet sociale deri në maj, përpiquni të shmangni zhurmat, mbani kokën ulur dhe mos harroni sesi arritët deri këtu”.
Insi, me siguri, e ka fjalën për disa nga lojtarët liverpulas që njihen si “dashnorë” të rrjeteve sociale, si Trent Aleksandër-Arnold, Roberto Firmino apo Mohamed Salah. Edhe pse një ish-lojtar i Mançester Junajtid zakonisht nuk i uron sukses Liverpulit, Insi foli me ekuilibër.
“Mendoj se Jurgen Klopi ka mjaft talent në skuadër që të mos lejojë dështimin, – tha ai, – Liverpuli ka një mundësi të madhe që ta fitojë titullin e parë që prej vitit 1990. Po ashtu, ka edhe tifozë të jashtëzakonshëm që do ta ndihmojnë. Gjithsesi, edhe tifozët duhet të jenë të qetë”.
Sfidanti.al