Ramos i ka bërë urimet e tij për vitin e ri, dëshiron rekordet e reja!

Padyshim është një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohëve për Realin, dhe shpreson që edhe rekordet të jenë sa më të mëdha. Sergio Ramos prej kohësh është kapiten i Madridit, ndërsa prej pak kohësh edhe i Spanjës, dhe në mbrëmjen e ndërrimit të viteve, i pati të qarta kërkesat për 2020-ën. Ai dëshiron rekorde të ndryshëm, që nuk do të ishin të paktë.

Mund të kalojë Santilianën për të qenë në vendin e katërt në renditjen e lojtarëve me më shumë ndeshje me fanelën e bardhë. Santiliana ka 645 ndeshje, ndërsa Ramosi ka 628, pra për vetëm 17 ndeshje e barazon e pastaj e kalon. Ekziston mundësia, që qendërmbrojtësi të luftojë për të qenë rekordmeni, pra për të kaluar Raul Gonzalesin që ka 741 ndeshje, por për këtë do t’i duhet më shumë se një vit. Me këtë rast, ai uron që të rinovojë me Realin dhe të nënshkruajë kontratën e fundit të madhe në karrierë.

Ramosi synon të bëhet kapiteni me më shumë Champions të ngritur në finale. Deri tani ka 3 të tillë, po aq sa Franc Bekenbauer, dhe më shumë se çdo kapiten tjetër madrilen. Ai shpreson të fitojë titullin e 5-të kampion në Spanjë. Numri 4 po ashtu dëshiron të jetë mbrojtësi me më shumë gola në La Liga, duke pasur 64 gola, ndaj 67 të Ronald Kumanit të Barcelonës. Gjithsesi, Fernando Hierro ka 105 rrjeta, edhe pse (sipas “Markës”), 44 gola të ish-kapitenit u shënuan kur ai ishte në mesfushë. Në përfundim, Sergio Ramosi dëshiron të fitojë Euro 2020-ën, dhe do të ishte trofeu i parë si kapiten në kombëtare.

Sfidanti.al