Pas fitores ndaj UEFA-s në KAS, a mundet që Siti të fitojë edhe Championsin?!

Një fund i lumtur dhe jeta do të vazhdojë si më parë. Mançester Siti e fitoi gjyqin me UEFA-n në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv, me gjykatën që i hoqi pezullimin 2-vjeçar nga Championsi. UEFA e kishte akuzuar dhe dënuar klubin anglez për shkelje të rregullave të Lojës së Ndershme Financiare, për manipulim të të ardhurave dhe sponsorizimeve, por KAS-i në Lozanë vendosi ndryshe. Ndaj Sitit u la vetëm një gjobë prej rreth 10 milionë eurosh, pra për shkelje jo shumë të rëndësishme, por akuza kryesore ndaj presidentit Haldun Al Mubarak u rrëzua.

Një lajm i madh për trajnerin Pep Guardiola, i cili kishte shprehur që më parë besimin në sukses, dhe kishte premtuar se do të vazhdonte në detyrë, edhe nëse mbetej në fuqi përjashtimi 2-vjeçar nga Championsi. Lajm i madh për tifozët, dhe për klubin pasi kjo do të thotë se yjet kryesorë të skuadrës nuk do të largohen, dhe se mund të vazhdojë plani për t’u përforcuar në ndjekje të ëndrrës për të fituar Ligën e Kampionëve.

Një goditje ndaj UEFA-s dhe presidentit të saj, Aleksandër Çeferin, si dhe ndaj parimeve të Lojës së Ndershme financiare. Ishte folur shumë në media për qendrimin e UEFA-s kundër klubeve të financuar nga miliarderë të Lindjes së Mesme si Paris SG e Mançester Siti, dhe në favor të fuqive tradicionale të futbollit europian si Realit, Barcelonës, Bajernit, Mançester Junajtidit apo Juventusit.

Vendimi i KAS-it pritet ta ndihmojë shumë Sitin në synimin për të fituar Championsin që këtë sezon, ndërsa duhet të luajë ndeshjen e kthimit ndaj Realit, në turin e dytë, pas fitores 2-1 në Madrid, e në rast suksesi, do të jetë në fazën përfundimtare që do të zhvillohet në Portugali, që nga çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja.

Sfidanti.al