Ku ka më bukur sesa goli i parë të jetë kaq i veçantë. i tillë për Enea Mihajn, mbrojtësin 22-vjeçar shqiptar, që bën pjesë në grupin e lojtarëve të kombëtares. Mihaj realizoi në minutën e fundit, në ndeshjen më të vështirë të mundshme në Superligën greke, në atë të PAOK-ut të Selanikut në stadiumin “Karaiskaqis” të Olimpiakosit, madje duke vulosur fitoren 1-0 të skuadrës së tij. Gëzimi ishte i ligjshëm për qendërbrojtësin shtatlartë, si dhe për shokët e skuadrës dhe stafin teknik, përderisa ky sukses forcoi pozitat në vendin e dytë në renditje për PAOK-un, pra edhe rriti shpresat për të qenë në Champions sezonin e ardhshëm.
Në bazë të koeficientit të Superligës greke, skuadra selanikase do të hynte në turin e dytë eleminator, dhe ekipi i Mihajt ka 71 pikë ndaj 68 të AEK-ut të Athinës që mban vendin e tretë. Fitorja erdhi vetëm pak ditë pasi PAOK-u fitoi gjyqin me Federatën Greke të Futbollit në KAS-in e Lozanës, dhe gjykata i ktheu 7 pikët e hequra nga ana e federatës, ndonëse kjo e fundit pritet të japë një vendim tjetër.
“Jam shumë i lumtur për fitoren dhe për golin, – u shpreh Mihaj pas ndeshjes për televizionin e klubit, – ishte një fitore e merituar, pasi ne luajtëm shumë fort, edhe pse ishim në fushën e skuadrës më të fortë të Greqisë”.
Mihaj u dallua edhe në ndeshjen e fazës së parë ndaj Olimpiakosit, luajtur në Selanik, kur fitoi penalltinë që i dha mundësi PAOK-ut të shënonte golin vendimtar në fitoren 3-2. Skuadra e shqiptarit u shpall kampione e Greqisë sezonin e kaluar.
Sfidanti.al