Nga virusi i Valencias, te akuza e Biljas, rrënimi i dhimbshëm i Italisë!

Turqit kanë një shprehje-perlë që thotë “fukarallëk-maskarallëk”. Në Itali është një shkrimtar si Roberto Saviano që pak vjet më parë dha alarmin se “Italia e Jugut po vdes, edhe Mafia po largohet në emigracion se nuk ka çfarë të fitojë”. Duket se vdekja paska arritur deri në Italinë e Veriut. Kjo është e qartë nga mënyra sesi po shkon puna me koronavirusin, pavarësisht apeleve moraliste, këngëve patriotike për Piaven e Trapatonin, dhe aktrimit shembullor të dinjitarëve në Lombardi e gjetkë.

Skandalin me koronën në Itali e tregoi edhe sëmurja e 35 për qind e futbollistëve të Valencias pas ndeshjes së Championsit në Milano ndaj Atalantës, luajtur në stadiumin “San Siro”, ndërsa skuadra spanjolle mbërriti në aeroportin Malpensa, nën masa të rrepta sigurie dhe shëndetësore, si dhe u vendos në hotel të përzgjedhur për këtë rast. E shpjegon shumë mirë futbollisti argjentinas i Milanit, Lukas Bilia, që thotë se “në Itali e nënvleftësuan problemin, nuk ndoqën rregullat dhe mbërritëm në kolaps me mjekët që punojnë pa asnjë pushim”. Bilia nuk thotë diçka tjetër, që ndoshta edhe mund të mos e dijë, që Italia është varfëruar gjithnjë e më shumë që pas vendosjes së euros si monedhë e përbashkët, që kur “frenat” e politikës monetare i mori Brukseli, dhe që kur konkurrenca e Gjermanisë dhe e vendeve të tjera solli gradualisht falimentim. S’ke ç’bën, ky është realiteti, as nuk ia vlen ta duash dhe as ta urresh. Kështu ecën zhvillimi i botës, pa shpirt, të paktën për aq kohë sa popujt nuk do të jenë si nordikët që t’i marrin fatet në duart e veta. Në një rast të tillë, të kujtohen fjalët e Spinozës që thoshte se “Zoti është si natyra, edhe i mirë, edhe i keq”!

Sfidanti.al