Nga 10 milionët për Gjimshitin, tek 1-milionëshi për Cikalleshin

Berat Gjimshiti qenka një lojtar mjaft i vlerësuar nga Atalanta. Edhe pse i huazuar në Serinë B, tek Avelino, klubi bergamask ka kartonin e mbrojtësit të kombëtares dhe e gjykon shumë lart çmimin e tij. Sipas presidentit të Avelinos, Takone, klubi i tij mund ta merrte Gjimshitin vetëm nëse paguante 10 milionë euro, kaq ishte kërkesa e Atalantës. Pritet që shqiptari nga Kosova të kthehet në Bergamo, ku mund të luajë së bashku me Etrit Berishën, nëse Atalanta gjen akord me Lacion, dhe të dy do të ishin në Serinë A dhe në Ligën e Europës.

Për Sokol Cikalleshin, ndërkaq, flitet për 1 milionë euro, por jo për kartonin, sesa si rrogë. Beshiktashi, kampioni i ri i Turqisë, po mendon të afrojë sulmuesin shqiptar në bazë të një transferimi të dyfishtë me Istanbul Bashaksehirsporin, klubin që ka kartonin e sulmuesit shqiptar. Mediat turke njoftojnë se klubi i madh i Stambollit mund t’i ofrojë 4 vjet kontratë 26-vjeçarit, por Cikalleshi duhet të mendohet mirë pasi konkurrenca tek Beshiktashi është shumë e madhe me lojtarë ofensivë si Abubakar, Babel, Xhenk Tosun apo Demba Ba.

Sfidanti.al