Një minutë zi për viktimat, por finalja e Ligës së Europës do të luhet!

UEFA vendos të luhet dhe të mbahet një minutë zi. Kjo është përgjigja e qeverisë europiane të futbollit pas atentatit terrorist në Mançester që i mori jetën 22 personave dhe plagosi 119 të tjerë. Finalja e Ligës së Europës, mes Mançester Junajtidit dhe Ajaksit, do të zhvillohet sipas planit në “Arenën e Miqve” në Solna të Stokholmit, dhe përpara fillimit do të nderohet kujtimi i viktimave. UEFA deklaroi se nuk ka të dhëna nga shërbimet e specializuara për rrezik ndaj përballjes në Suedi.

Mançester Junajtid, ndërkaq, e mori lajmin ndërsa ishte ende në qytet, pasi atentati ndodhi në orët e vona të natës mes të hënës dhe të martës. Futbollistët dolën në seancën e fundit stërvitore në kompleksin “Karrington” dhe mbajtën një minutë zi, ende pa shkuar në Stokholm. Policia kontrolloi gjithçka, përfshi edhe makinat e lojtarëve, ndërsa vizitat e turistëve në “Old Traford” u anuluan, ashtu siç edhe u mbyll Shitorja e Madhe e klubit.

Trajneri Zhoze Murinjo foli për tragjedinë. “Jemi shumë të hidhëruar për atë që ndodhi, – u shpreh portugezi, – këtë tragjedi nuk mund ta heqim nga mendja, dhe mendimet tona shkojnë tek familjet e viktimave. Ne kemi një punë për të bërë dhe do të shkojmë në Suedi për ta kryer atë, por na vjen keq që nuk do të shkojmë me lumturinë që kemi gjithnjë përpara ndeshjeve”.

Sfidanti.al