Rreth 20 000 tifozë të Mançester Junajtidit pritet të jenë sot në Stokholm, por vetëm gjysma e tyre besohet se do të ketë një biletë për finalen e Ligës së Europës. Me shumë gjasa, një numër i përafërt holandezësh do të vijnë nga Amsterdami për të ndjekur Ajaksin, por edhe ata nuk do të kenë më shumë se 10 000 bileta.
Vetëm pak orë pas sulmit terrorist në Angli, policia suedeze ka marrë masa të ashpra sigurie për të mos lejuar një tragjedi të tillë edhe në Stokholm. Me qindra forca policore, të shoqëruara me teknikën e duhur do të jenë në gjendje gatishmërie rreth stadiumit dhe në qytet. UEFA ka ftuar tifozët që të shkojnë më shpejt se zakonisht në impiant, pasi për shkak të kontrolleve mund të ketë vonesa.
Shqetësimi rritet duke menduar sulmin terrorist që u bë pak kohë më parë në Stokholm ku humbën jetën 5 persona, si dhe duke llogaritur një numër të madh refugjatësh nga Lindja e Mesme që ka marrë Suedia. Problem më vete është një konflikt i mundshëm mes dy palëve të tifozëve, pasi ka precedent, ndërsa “dhimbje koke” shtesë është mundësia që në kryeqytetin suedez të vijnë tifozë të Fejënordit për t’u zënë me ata të Ajaksit.
Nga 51 000 vende që mban “Arena e Miqve” (Friends Arena), UEFA ka vendosur që rreth 31 000 t’ua japë tifozëve neutral, ndonëse shumë prej tyre mund të shkojnë në duar anglezësh apo holandezësh me çmim më të lartë.
Sfidanti.al