Ka apo nuk ka të drejtë Elis Bakaj? Futbollisti ka refuzuar të dalë në fushë këtë të shtunë në përballjen e Vllaznisë së tij ndaj Tiranës dhe klubi shkodran mesa duket ka ngritur duart lart, duke mos pasur ç’të bëjë. Nëse analizon veprimin e ish-lojtarit bardheblu, veçon dashurinë për Tiranën, të cilën nuk dëshiron ta shohë një kategori më poshtë, dhe po ashtu sinqeritetin ndaj Vllaznisë së cilës i thotë se nuk mund të jetë në 100 për qind në këtë ndeshje, ndaj më mirë të mos aktivizohet.
Gjithsesi, ia vlen të theksohet edhe diçka tjetër. Vllaznia ishte klubi që i dha shansin Bakajt të shpëtonte gjysmën e dytë të sezonit, pasi presidenti i Tiranës e mbajti në ajër duke mos i thënë të vërtetën se ishte e pamundur që ai të luante në skuadrën kryeqytetase. Natyrisht, interesi ishte i dyanshëm, por më shumë përfitoi Bakaj, që luajti futboll dhe mori rrogën, ndërsa shkodranët do të kishin luajtur edhe pa të, edhe pse ndoshta do të ishin më poshtë cilësisht. Parë kështu, Bakaj duhej të kishte vendosur ndryshe, të dilte në fushë për të respektuar Vllazninë, ndërsa rrëzimi i Tiranës nga kategoria nuk do të ishte në asnjë rast për faj të tij.
Ka edhe diçka të fundit, por shumë të rëndësishme në këtë histori. Duket se në kontratën e Bakajt nuk ka pasur klauzola që të parashikonin raste të tilla. Kjo situatë, besohet se do të shërbejë si precedent që klubet të mos jenë më të papërgatitur ndaj dëshirave të tilla të lojtarëve. Drejtuesi i Vllaznisë, Gjyrezi, u shpreh se “vlerësoj sinqeritetin e Bakajt, por jo profesionalizmin e tij”.
Në futbollin e sotëm profesionist, një sinqeritet i tillë nuk ka dhe nuk mund të ketë vend. Gjithçka përcaktohet që në momentin e parë që hidhet firma në kontratë. Mund të ndodhë që një lojtar të mos luajë ndaj një ekipi, por kjo zakonisht bëhet kur ai lojtar vihet përballë ish-ekipit të tij dhe kur ky ish-ekip ia detyron ekipit të tij të ri, nëpërmjet klauzolës përkatëse.
Sfidanti.al