Mesi afron Barçën me titullin, një “shaka” me tre gola në Sevilje

Nuk është se ka ndonjë gjë për të provuar, por gjithnjë dëshiron të bëjë më shumë se herën e fundit. Lionel Mesi ishte edhe një herë udhëheqësi dhe shpëtimtari i Barcelonës, madje në një nga ndeshjet më të vështirë të sezonit, në fushën e Seviljes. Suksesi 4-2, falë trigolëshit të kapitenit, bëri që Barcelona të shkëputej në 10 pikë diferencë nga Atletiko e Madridit, që e zhvillon të dielën ndeshjen e la Ligës.

Sevilja kaloi në avantazh dy herë, fillimisht me anë të Hezus Navasit dhe pastaj të Gabriel Merkados, por Mesi ishte gjithnjë aty. Barazoi për 1-1 në minutën e 26-të me një “golazo”, siç thonë spanjollët. Barazoi për së dyti në 67’ sërish me një gol të madh, ndërsa i dha avantazhin katalanasve në 85’. Nuk u mjaftua me kaq, por krijoi golin e katërt, shënuar nga Luis Suarez.

Barcelona dha një sinjal se do të synojë çdo trofe këtë sezon, siç bëri në 2009, 2011 dhe 2015, gjithnjë me Mesin në skuadër. Titulli kampion është thuajse çështje e mbyllur, ndonëse do të ketë një diskutim javën e ardhshme kur Barça të vizitoi “Santiago Bernabeun” për të luajtur ndaj Realit.

Përpara këtij dueli të madh, do të jetë “El Klasiko” i Kupës së Mbretit, me katalanasit që shkojnë sërish në “Bernabeu” për të kërkuar kualifikimin për në finale, pas barazimit 1-1 në “Kamp Nou” me Realin. Tifozët shpresojnë që Mesi të jetë sërish shpëtimtari.

Leo ka tani 408 gola në La Liga në karrierë, ka 25 këtë sezon në kampionat në vetëm 23 ndeshje të luajtura, dhe 33 ndeshje në gjithë edicionin, me 32 ndeshje gjithsej. Do të synojë përsëri Këpucën e Artë të Spanjës dhe të Europës.

Sfidanti.al