Bajerni mbërrin Dortmundin në ditën e Abrashit dhe Mehmedit!

Një lojtar i kombëtares shqiptare dhe një shqiptar i kombëtares së Zvicrës patën festë në ndeshjet e javës së 23-të të Bundesligës, pas të cilave, Bajerni i Mynihut arriti Dortmundin në krye të renditjes.

Amir Abrashi (në foton e parë me numrin 6) ishte në fushë sërish si titullar për Frajburgun, që triumfoi 5-1 ndaj Augsburgut, duke forcuar pozitat pranë mesit të tabelës. Nils Petersen shënoi dy herë për vendasit, ndërsa golat e tjerë erdhën nga Grifo, Valdshmit dhe Niderlehter. Abrashi luajti ndeshjen e dytë radhazi si titullar, pas kthimit nga dëmtimi, duke qenë gjithnjë e më shumë gati për kombëtaren në sfidën eleminatore të Europianit ndaj Turqisë, në mars.

Shqiptari i Zvicrës ishte Admir Mehmedi (foto e dytë), autor i dy golave në suksesin e madh 3-0 të Volfsburgut në fushën e një skuadre tepër të fortë si Borusia e Mynshengladbahut. Janik Gerhart kaloi miqtë në avantazh, dhe pastaj Mehmedi shtoi rrjetat e tij në minutat 68-të e 83-të. Volfsburgu ka 38 pikë, në vendin e pestë, dhe në pretendime për Ligën e Europës.

Ja pra edhe Bajerni. Bavarezët nuk mundën të arrinin më shumë se një fitore “të vogël” ndaj Hertës, edhe pse luanin në “Alianc Arena”. Havi Martinez, mesfushori spanjoll që shkëlqeu ndaj Liverpulit, shënoi golin e vetëm në minutën e 62-të, për ta ngjitur skuadrën e trajnerit Niko Kovaç në kuotën e 51 pikëve, po aq sa Dortmundi, por që do ta luajë nesër ndeshjen e vet.

Sfidanti.al