Xhorxh-Uestbruk, Oklahoma kalon “makthin” e quajtur Juta!

Ishin sekondat e fundit dhe Pol Xhorxh e dinte se nuk kishte kohë për të humbur. Ylli i Oklahomës u drejtuar nga koshi i Juta Xhazit, u përball me gjigandin Rudi Gobert, dalloi një hapësirë të vogël dhe lëshoi gjuajtjen me hark. Kur kishin mbetur vetëm 0.8 sekonda lojë, topi hyri në koshë dhe Oklahoma mori avantazhin 148-147, rezultat që i dha fitoren. Nuk bëri punë përpjekja e dëshpëruar e specialistit Kajl Korver për një tripikësh.

Oklahoma fitoi vërtet një ndeshje që u kthye në makth, ndaj një kundërshtari të fortë, por të cilën, në fund të fundit, po e luante në fushën e tij. NBA-ja është e tillë, luhet kaq dendur, saqë fare lehtë mund të humbasësh në shtëpi.

U deshën heroizmat e dy yjeve, Pol Xhorxhit dhe Rasëll Uestbrukut, që kjo të shmangej. Xhorxh shënoi 45 pikë, si dhe shtoi 9 topa në tabela, 7 asistë dhe 1 vjedhje topi. Uestbruk realizoi 43 pikë, kapi 15 topa në tabela dhe shërbeu 8 asistë, po ashtu vodhi 2 topa e bllokoi një gjuajtje, por iu bllokuan edhe atij, plot 4 gjuajtje.

Uestbruku, për momentin, bëri pushim për tripëll dabëllin, duke mos e arritur vetëm për 2 asistë. Oklahoma është e pozicionuar mjaft mirë për plej ofin, duke qenë e treta në Konferencën e fortë Perëndimore, me 38 fitore e 20 humbje, dhe duke pasur përpara vetëm Golden Stejtin dhe Denverin.

Sfidanti.al