Lioni “flak” Sitin nga Championsi, ku është karakteri i “stilistit” Guardiola?!

“Nëse nuk do të kishte qenë për Mesin, do të kisha mbetur një trajner i kategorisë së dytë”. Këto fjalë të thëna nga Pep Guardiola gati 7-8 vjet më parë, sot po duken më aktuale se kurrë, ndërsa Mançester Siti i tij u eleminua në mënyrë të pabesueshme nga Championsi. Ndërsa gjithë Europa, pse jo e gjithë bota, po vraponte të “priste biletën” për një gjysmëfinale Bajern-Siti, do të duhet të kënaqet me një Bajern-Lion. Një skuadër franceze, e shkelur me këmbë nga Paris SG për shumë vjet me radhë, ishte në gjendje të eleminonte ish-kampionët e Anglisë, pak ditë pasi e bëri këtë gjë me Juventusin.

Cili është vlerësimi i vërtetë për një si Guardiola? Do ta quajmë trajner të madh fitues, apo trajner të madh sepse skuadrat e tij luajnë një futboll “shampanjë”?! Kjo e dyta duket gjithnjë e më bindëse, pasi dështimeve për 3 vjet radhazi me Bajernin, iu shtuan këto me Sitin, gjithashtu për 3 vjet. Nëse nuk do të kishte qenë, në mes, eleminimi i madh që i bëri Realit (2-1, 2-1), vlerësimi për teknikun katalanas do të kishte qenë shumë më i ulët, të paktën në Champions. Duket se karakteri nuk e ka forcën dhe vendosmërinë e duhur për të shfrytëzuar momentin, sidomos duke pasur në dorë një ekip luksi.

Maksuell Korne kaloi Lionin në epërsi në pjesën e parë, Kevin De Brujni barazoi në 69’, pastaj Musa Dembele shënoi një gol që mund të quhet i dyshimtë në 79’, dhe sërish Dembele vulosi shifrat pasi Rahim Stërling humbi një rast të pastër për të barazuar 2-2. Portieri Ederson po ashtu bëri gabime jot ë zakonshme për të, duke dëunar Sitin. Në gjysmëfinale janë tani dy skuadra gjermane dhe dy franceze, dy duele prej “Bashkimi Europian”, franko-gjermane, Bajern-Lion e Paris SG-Lajpcig. Duket se më mirë fizikisht janë ekipet e ligave që ose rifilluan e përfunduan shpejt, ose që nuk luajtën fare.

Sfidanti.al