Klasi dhe fati, Toronto përmbys “dinastinë” fiton titullin në NBA!

Gjithnjë ka një herë të parë, dhe kjo shprehje shpesh tepër e konsumuar dhe e mërzitshme, u jep shpresë rishtarëve. Jeta vazhdon, të mëdhenjtë rrëzohen, të vegjlit ngrihen, dhe ja ku kemi Toronto Reptorsët kampionë të NBA-së. Liga më e fortë e botës në basketboll, e cilësuar si “puro” amerikane, tashmë ka një “zot” nga Kanadaja, pasi skuadra nga Torontoja mposhti atë që tashmë quhet ish-kampione, Golden Stejt Uorriorsin.

Suksesi ishte 4-2 me fitoren e fundit brenda në Oklend, pra në fushën e Golden Stejtit, me shifrat 114-110. Koui Leonard udhëhoqi ekipin me lojën e tij, edhe pse nuk ishte shënuesi më i mirë, 22 pikë ndaj 26 të Siakamit dhe Lourit. Gjithsesi, Leonardi u shpall lojtari më i mirë i finaleve. Golden Stejti u përpoq shumë, me kapitenin Tompson që shënoi 30 pikë, Iguodalën 22 dhe Kërrin 21 pikë.

Ishte një fitore me meritë, falë klasit dhe zotësisë, si dhe falë punës së madhe të kampionëve të rinj. Koui Leonard, Paskal Siakam, Kajl Louri, Mark Gasol, Fred Vanvlit, Deni Grin, Serg Ibaka e shumë të tjerë, këta janë emrat që shkruan historinë. Bashkë me trajnerin Nik Nërs, menaxherin e përgjithshëm Bobi Uebster apo presidentin Masai Uxhiri, ish-basketbollist nga Nigeria, sot “bos” në SHBA.

Ky grup profesionistësh punuan me bindjen se mund t’ia dilnin dhe të sillnin titullin e parë në Kanada, 73 vjet pasi atje u luajt ndeshja e parë e NBA-së. Ata nuk u druajtën para emrit të madh të Golden Stejtit, pesë herë radhazi finalist dhe 3 herë kampion në 5 vitet e fundit. Ata e dinin se kishin të drejtë të shpresonin, mjaft që të punon fort, të paktën kishin mundësi ta provonin.

Toronto pati edhe fatin me vete, dhe në sport (ashtu si edhe në jetë) është vështirë të fitosh ndryshe. Kundërshtari humbi Kevin Durantin praktikisht gjatë gjithë serisë finale, pra nuk pati lojtarin më të mirë të finaleve të dy sezoneve të kaluara. Po ashtu, mungoi edhe Klej Tompson në momente vendimtare, sidomos kjo u ndje në ndeshjen e fundit, kur edhe kapiteni pësoi dëmtim në gju. Kjo nuk ia ul meritën Torontos, por kjo do të thotë se Golden Stejti mund të jetë sërish pretendent i madh për titull, nëse nuk do të ketë dëmtime.

Toronto, skuadra e vetme e Kanadasë në NBA, e fitoi titullin e saj të parë. Po ashtu, ajo i dha kanadezëve një trofe në ligat e mëdha të Amerikës së Veriut, pasi kjo nuk po ndodh as në hokej në akull, sporti tradicional i Kanadasë, ku titulli në NHL është fituar për herë të fundit në 1993 nga Montreal Kanadiensët.

Sfidanti.al