Luka Modriç është i vendosur ta nisë sa më shpejt aventurën e tij të re me Milanin dhe për këtë arsye ka marrë një vendim që flet shumë për profesionalizmin e tij. Ai do të shkurtojë pushimet verore për të qenë i gatshëm që në ditët e para të përgatitjeve. Sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello Sport”, mesfushori kroat, i cili pritet të sjellë eksperiencën dhe klasin e tij në qendër të mesfushës kuqezi, dëshiron të jetë në formë optimale për javën e parë të kampionatit. Kjo është arsyeja pse ai ka planifikuar të jetë në qendrën stërvitore të Milanelos që në fund të këtij muaji, duke hequr dorë nga disa ditë të pushimeve të tij të merituara. Transferimi i Modriç te Milani ka qenë një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos së verës, dhe tifozët kuqezinj presin me padurim të shohin magjinë e kroatit në mesfushën e “Djallit”.
Vendimi për të përshpejtuar rikthimin në fushë tregon jo vetëm seriozitetin e tij, por edhe etjen për të dhënë gjithçka në këtë sfidë të re, në një nga klubet më të mëdha në historinë e futbollit europian. Në moshën 39-vjeçare, Modriç mbetet një profesionist i jashtëzakonshëm dhe një shembull për të gjithë, dhe kjo sakrificë për të qenë gati me Milanin sa më parë është dëshmia më e fundit.
sfidanti.al