Chelsea kërkon rikthimin e Rudiger

Chelsea po shqyrton mundësinë e një lëvizjeje për rikthimin e Antonio Rudiger gjatë merkatos së janarit. Mbrojtësi gjerman, aktualisht pjesë e Real Madridit, mund të jetë një nga objektivat e londinezëve për të përforcuar repartin difensiv. 33-vjeçari po kalon një periudhë të vështirë në Madrid, ku nuk po gjen hapësirat e dëshiruara për të luajtur. Rudiger ka munguar në pesë ndeshjet e fundit të Real Madridit në La Liga, duke shtuar pikëpyetjet mbi të ardhmen e tij në klub.

Chelsea e sheh situatën e mbrojtësit si një mundësi për ta rikthyer në “Stamford Bridge”, aty ku gjermani luajti nga viti 2017 deri në 2022, përpara se të transferohej te Real Madridi.

Kontrata e Rudigerit me klubin madrilen është e vlefshme deri në vitin 2027, por mungesa e minutave mund ta shtyjë drejt një aventure të re. Përveç Rudigerit, Chelsea po shqyrton edhe emra të tjerë për merkaton e janarit, mes tyre mbrojtësi i Comos, Jacobo Ramon, si dhe Alex Scott. Londinezët synojnë të përforcojnë skuadrën dhe të rrisin konkurrencën në repartet e tyre, ndërsa rikthimi i gjermanit do të ishte një lëvizje me përvojë dhe njohuri të mëdha për klubin.