Thyhet rekordi: Reali deri tani ka shpenzuar 317 milionë euro!

Reali i Madridit bëri të ditur ardhjen e një përforcimi të ri, Ferland Mendi, nga Lioni. Me paratë që ai pagoi për këtë mbrojtës të talentuar të majtë francez, klubi “mbretëror” theu rekordin e parave të shpenzuara brenda një sezoni të vetëm transferimesh.

Rekordi i deritanishëm i klubit të “Santiago Bernabeut” ka qenë vendosur më 2009, kur presidenti i tanishëm, Florentino Perez, shpezoi 260 milionë euro për përforcimet e reja si Kristiano Ronaldo, Kaka, Karim Benzema, Çabi Alonso…

Shuma e asaj kohe u shpenzua për tetë lojtarë, disa nga të cilët janë yje futbolli sot e kësaj dite. Paratë më të shumta u shpenzuan për Ronaldon – 94 milionë euro, ndërkohë që për Kakan u harxhuan 67 milionë euro.

Sot, nga pesë emrat e rinj, vetëm për Eden Azarin presidenti Florentino “nxori nga xhepi” mbi 100 milionë euro. 217 milionë eurot e tjerë janë përdorur për lojtarët e tjerë të rinj, midis tyre 65 milionë euro për Luka Joviçin, 50 milionë për Eder Militaon, 54 milionë për Rodrigon dhe 48 milionë euro për Ferland Mendin.

Sidoqoftë, pritet që shumë e mësipërme të bëhet edhe më e madhe, pasi Reali ka në plan të blejë përforcime të tjera.

Sfidanti.al