Kampion i botës? Po, por Reali mbetet 7 pikë prapa Barcelonës

Viti 2019 filloi aty ku mbeti 2018-ta. Reali mund të jetë, për të tretin sezon radhazi, kampion i botës, por kur vjen puna tek liga spanjolle, gjithçka ndryshon. Skuadra rekordmene e titujve (33), mbeti plot 7 pikë prapa Barcelonës, pas barazimit 2-2 në fushën e Vijarrealit. “Nëndetësja e verdhë” e filloi sfidën shkëlqyeshëm duke shënuar me Santi Kazorlën, përballoi reagimin e Realit që kaloi në avantazh me Benzemanë dhe Varanin, si dhe luajti një pjesë të dytë shumë të mirë.

Santi Kazorla, ish-lojtari i Arsenalit dhe tepër i pafat me dëmtimet, mori një shpërblim të merituar duke shënuar golin e dytë personal dhe të  barazimit për Vijarrealin, në minutën e 82-të. Mbrojtja madrilene gaboi tërësisht ndaj tij, aq sa gazeta “Marka” pyeti: Kush duhej të merrej me Kazorlën, Ramosi, Marselo apo Isko? Reali konfirmoi dobësinë tipike të sezonit, ku kombinon paraqitje shumë të mira, me lojëra tepër të dobëta. Edhe pse kjo nuk ishte humbje, në raport me garën për titull mund të quhet e tillë.

Të besuarit e trajnerit Santiago Solari kanë 30 pikë, 7 pikë prapa Barcelonës, ndërsa golaverazhi i tyre reflekton pasojat e largimit të Ronaldos, me 26 gola të shënuar e 21 të pësuar. Mesi me shokë kanë 48 rrjeta të realizuara dhe 19 të pësuara!

Sfidanti.al