Nuk ishte ndoshta ndeshja më e mirë e Mançester Sitit dhe e Liverpulit, por ishte padyshim një ndeshje e madhe mes dy rivalësh aspak të zakonshëm. Mançester Siti ia doli të fitonte dhe të kthehej plotësisht në garën për titull, ndërsa të kuqtë pësuan humbjen e parë këtë sezon të Premier Ligës. Në mesnatën e kësaj të enjteje, renditja është kjo: Liverpuli 54 pikë, Mançester Siti 50, Totenhemi 48.
Kun Aguero kaloi vendasit në avantazh në “Etihad” në minutën e 40-të, Roberto Firmino barazoi në të 64-ën, por Leroi Sane fiksoi shifrat 2-1 me rrjetën e tij në minutën e 72-të. Të dyja skuadrat patën mundësi të tjera për të shënuar, por nuk ia dolën.
A e meritoi fitoren skuadra e Pep Guardiolës? Besohet se po, ndonëse fare mirë ndeshja mund të kishte përfunduar në barazim. Të dy portierët bënë pritje të rëndësishme, ndërsa skuadra e Klopit ishte tërësisht e pafat, të paktën në dy momente. Në minutën e 31-të, Sadio Mane goditi shtyllën, dhe pastaj Stouns u përpoq të largonte topin, por e përplasi me trupin e portierit të tij. Sfera u kthye dhe Stouns e largoi ndërsa thuajse ajo e kishte kaluar 100 për qind vijën fatale. Për fat, teknologjia tregoi se topi ende e kishte prekur një pjesë të vijës.
Në rastin e dytë sëris në pjesën e parë, Stouns gaboi me pasimin dhe Vinsent Kompani u detyrua të rrëzonte Mohamed Salahun (në foto), ndërsa ishte mbrojtësi i fundit. Gjyqtari Tejlër fare mirë mund t’i kishte dhënë të kuqin, por u mjaftua me të verdhin. Në përfundi, Siti mbajti topin 51 për qind ndaj 49 të Liverpulit, gjuajti 8 herë drejt portës ndaj 7 të miqve, dhe 4 herë në kuadrat, ndaj 5 të të kuqve. Një ndeshje thuajse e barabartë, por që u fitua nga “qytetarët” duke ndryshuar jo pak fatin e garës për titull.
Sfidanti.al