I falenderoi lojtarët e tij, pavarësisht se kishin humbur dy ndeshje në pak ditë. Pep Guardiola e njeh futbollin aq mirë sa të dijë se dy disfata nuk janë fundi i botës, dhe se gara për titull vazhdon. Fitorja ndaj Liverpulit ishte një lehtësim i madh për trajnerin katalanas. “Ishte një ndeshje e madhe dhe e vërtetë për të dyja skuadrat, – pohoi ai, – Ne fituam ndaj një kundërshtari të pabesueshëm. Jemi të lumtur për fitoren dhe që ngushtuam diferencën, tani çdo gjë është e hapur. Në ndeshje të tilla kemi nevojë për Kun Agueron, që bën diferencën. Nëse do të kishim humbur sot, thuajse me siguri gjithçka do të kishte marrë fund, por tani jemi vetëm 4 pikë prapa. Do të jetë e vështirë, por tashmë kemi më shumë besim”.
Po Klopi? Trajneri gjerman e mori sportivisht humbjen ndaj Sitit, si diçka që ndodh në futboll. “Ishte një presion i madh, dhe një ndeshje me ritëm shumë të lartë, – ishin fjalët e tij, – Ne ishim pa fat, duhet të them më të pafat se Siti. Ne patëm shanse të mëdhenj, por nëse nuk shënon, e pëson. U thashë djemve se humbja ishte diçka normale, diçka që duhej të ndodhte. Nuk është mirë të humbësh, por nuk është problemi më i madh. Nuk mund të dominosh gjithnjë, me pak më shumë fat mund të kishim dalë 2-2”.
Klopi pati pretendime për gjyqtarin, duke kujtuar rastin e Kompanisë. “Është një lojtar që e pëlqej shumë, por si nuk u dha karton i kuq në atë rast? – pyeti ai, – ai ishte mbrojtësi i fundit dhe ndërhyri, duke rrezikuar ta dëmtonte Salahun. Ndoshta, gjyqtari nuk e pati të lehtë për ta parë”.
Sfidanti.al