Interi fiton një derbi edhe më të çmendur sesa ka qenë ndonjëherë!

Në një arenë madhështore edhe pse të vjetër si stadiumi “San Siro”, dy nga skuadrat më të mëdha të Italisë lanë shenjë në një ndeshje që do të hyjë në histori. Nuk ishte ndonjë finale, as përcaktuese për titull, veçse një çerekfinale e Kupës së Italisë, por u luajt “zjarr e flakë”. Fitoi Interi pas 100 minutave me gola, përmbysje, nerva, sharje e përjashtime, dhe madje edhe dëmtimi të arbitrit. Po ashtu edhe një konfirmim paksa i vonuar i një “diamanti” të quajtur Kristian Eriksen për të cilin ndoshta ka marrë vendimin e pakthyeshëm për ta larguar.

Duel Inter-Milan, duel deri në nivel rruge Ibra-Lukaku, dhe pritje të pabesueshme të portierit Tatarushanu të Milanit, që ndaloi Lukakun, pastaj Lautaro Martinezin dhe sërish Lukakun. Ibrahimoviç realizoi perlën e mbrëmjes për avantazhin e Milanit, por kjo ishte kryevepra e tij e vetme. Në fund të pjesës së parë, u zu me Lukakun dhe pas fillimit të së dytës u përjashtua për dy të verdha pas faullit ndaj Kolarovit. Milani u mbajt në lojës edhe për shumë minuta, ndonëse fitoi penallti me VAR për ndërhyrje të ashpër të Leaos ndaj Barelës. Lukaku shënoi me nerva duke goditur traun, ndërsa zikaltërit u detyruan të prisnin deri pranë fundit për të shfrytëzuar epërsinë numerike.

Gjyqtari Paolo Valeri u detyrua të kërkonte ndërrim për dëmtim në kofshë dhe u zëvendësua nga arbitri i katërt Kifi, i cili duhej të bënte pak nxemje. Kjo mori 10 minuta ndaj ndeshja shkoi deri në 100. Në 88’, Konte hodhi Eriksenin (shpresën e fundit) dhe nuk u zhgënjye. Lautaro fitoi goditjen e dënimit në 97’ në pozicion shumë të mirë për danezin që e tregoi gjithë klasin e tij duke e mposhtur më në fund portierin rumun. Interi në gjysmëfinale ndoshta përballë Juventusit, pa Lukakun e Ashraf Hakimin për ndeshjen e parë për shkak pezullimi.

Sfidanti.al